McGregor: Pas fitores, Mayweather mund ta bëjë revanshin në kafaz

McGregor: Pas fitores, Mayweather mund ta bëjë revanshin në kafaz

Conor McGregor është 100% i sigurt për fitoren ndaj Floyd Mayweather, në duelin që dy sportistët do të zhvillojnë më 26 gusht në Las Vegas.

Për irlandezin ky është debutimi në sportin e boksit, aty ku rivali amerikan është një legjendë, i pamposhtur në karrierë (49 fitore). “Unë mendoj vetëm për 26 gushtin, pasi atë ditë e gjithë bota do të mahnitet nga fitorja ime. Floyd është që tani i frikësuar nga ajo sfidë.

Kur të zgjohet nga humbja që do të pësojë më 26 gusht, nëse ai do të pranojë të bëjë revanshin me mua, do ta ftoj që ajo përballje e dytë të bëhet në kafaz”, ka deklaruar sot irlandezi, ikonë e arteve marciale mikse.

Ylli i UFC-së po përgatitet fort për duelin e 26 gushtit, që pritet të shënojë rekord shitjesh dhe fitimesh për të.

“Ka për të qenë një duel agresiv nga ana ime. Ai do të përpiqet të largohet nga përplasja, por do ta ndjek kudo në ring. Jam përgatitur për çdo gjë. Nuk do të bëj asnjë gabim dhe ai do të përfundojë në tapet pa ndjenja”, u shpreh më tej Conor McGregor, që prej disa ditësh është transferuar në Las Vegas, ku dhe po vijon fazën e fundit përgatitore para duelit, njofton telesport.

“Unë jam i bindur te fitorja, në ring apo kafaz, kudo që do ta zhvillojmë atë. Unë di se si të lëviz në ring dhe do të gjej momentin t’i jap goditjen e “KO” dhe të fitores time”, tha McGregor