McGregor kërkon rimeç ndaj Floydit: Do ta mposhtja vogëlushin në çfarëdo formati

01.11.2017 22:29
McGregor kërkon rimeç ndaj Floydit: Do ta mposhtja vogëlushin në çfarëdo formati

Conor McGregor thotë se ka përfituar rreth 130 milionë dollarë nga dueli me Floyd Mayweather dhe e ka sfiduar rivalin e tij për një rimeç.

Edhe pse boksieri amerikan triumfoi duke e ngritur rekordin e tij në 50-0, irlandezi i famshëm mendon se ata duhet të hynë sërish në ring.

Kampioni i dyfishtë i UFC-së ka thënë se Mayweather është shprehur i gatshëm që të luftonte me rregulla të MMA-së, megjithatë, sipas McGregor, cilido qoftë formati, në duelin e ardhshëm, ai do të dalë fitues.

“Ajo që më bën të vjell është se ai vogëlushi i keq është pensionuar. Po ta kisha një përballje tjetër me të, me rregulla të boksit, do të fitoja”.

“Ai do të duhej ta ndryshonte gjithë qasjen. Me leksionet që i kam mësuar, në një duel tjetër, do të triumfoja”.

“Në fakt, ai ka thënë se mund të ketë një duel MMA… Kjo është ajo çfarë ka thënë para duelit. Ai tha një meç MMA. Prandaj nëse do, le ta bëjmë… Do të doja ta shihja duke ardhur në fushën tonë dhe duke marrë një goditje”.

“E kam fituar respektin e tyre dhe dola atje. Dil tash në anën time dhe fitoje respektin”, është shprehur McGregor.

Kur është pyetur nëse i ka fituar 100 milionë dollarë nga meçin në Las Vegas, ai është shprehur: “Është rreth asaj shifre. Akoma jemi duke i numëruar”.

Ai më tej i ka përmendur sponsorët, biletat, të drejtat televizive, komercializimin e të ngjashme, të cilat kanë bërë që shifra të shkojë deri në 130 milionë euro.

Lëvizja e radhës e McGregor pritet të jetë kthimi në Tetëkëndësh, në duelin e madh kundër Nate Diaz ose kampionit të peshave të lehta, Tony Ferguson.