Mbyllet Shtëpia e Bardhë për shkak të dyshimit për bombë

28.03.2017 18:53
Mbyllet Shtëpia e Bardhë për shkak të dyshimit për bombë

Shtëpia e Bardhë është rrethuar nga forca të shumta sigurie gjatë mëngjesit të kësaj të marte, pasi një person dyshohej se kishte në zotërim një bombë, në kohën kur presidenti Donald Trump gjendej brenda saj.

Raportuesit e medieve u mbyllën në dhomën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa zona “North Laën” u spastrua urgjentisht në mënyrë që snajperët të mund të mbërrinin shpejt dhe të kishin pamje të qartë përreth vendngjarjes.

Shërbimet sekrete amerikane konfirmuan përpara orës 11 të mesditës, me orën lokale, se po hetonin mbi një pako të dyshimtë pranë kopshtit të Shtëpisë së Bardhë.

Trey Yingst, gazetar i “One America Neës Netëork”, shkroi në “Tëitter” se një agjent i shërbimeve sekrete i kishte thënë se shkaku i mbylljes së Shtëpisë së Bardhë ishte një person mashkull që i ishte afruar ndërtesës dhe pretendonte se kishte një bombë me vete. Agjenti kishte thënë më tej se agresori ishte arrestuar, ndërsa më pas u mësua se ndaj tij kishte edhe një fletarresti.

Presidenti Trump ishte duke shkruar “cicërimat” e radhës mbi “dështimin” e “Neë York Times”, në vazhdën e sulmeve ndaj medieve, gjatë momentit që ndodhi ngjarja. Shërbimet sekrete kanë përdorur një robot për çaktivizimin e bombave, në mënyrë që të shohin se çfarë përmbante pakoja e dyshimtë.

Sipas gazetarit Yingst, i gjithë stafi i Shtëpisë së Bardhë ishte udhëzuar të futej në vendstrehime të sigurta. Ngjarja u raportua fillimisht rreth orës 10:25 të mëngjesit.

Disa raportues që kishin mbërritur në Shtëpinë e Bardhë pak orë përpara seancës së përditshme informuese, u panë teksa kalonin kohën në telefonat e tyre në pritje që “shtetrrethimi” të përfundonte. Ngjarja në Uashington vjen vetëm një javë pasi një grua u përpoq të kalonte gardhin e Shtëpisë së Bardhë, por e penguan lidhëset e këpucëve, sikurse edhe pas sulmit ndaj Parlamentit britanik të javës së kaluar.