Mbyllet rasti i shitblerjeve të notave në UP

Mbyllet rasti i shitblerjeve të notave në UP

Prokurorisë së Shtetit i ka “kushtuar” me humbje të rastit mospërfshirja e profesorëve në hetimin për shitblerje të notave në Fakultetin e Mjekësisë e regjistrim të paligjshëm në Universitetin e Prishtinës.

Gjykata e Apelit e ka liruar nga të gjitha akuzat grupin e 12 studentëve, të cilët ishin dënuar nga shkalla e parë si “grup kriminal” që kishin shitur nota e kishin kryer regjistrime në shkëmbim të parave. Kjo, pasi që asnjëri nga personat që po akuzonte Prokuroria e Shtetit nuk ishte person zyrtar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në këtë rast persona zyrtarë llogariten profesorët, të cilët ligjërisht bëjnë notimin e studentëve apo menaxhmenti i UP-së që janë përgjegjës në regjistrimin e studentëve. Asnjë profesor nuk është intervistuar asnjëherë në çfarëdo cilësie nga Prokuroria e Shtetit.

Kjo instancë madje as nuk i kishte ftuar profesorët, notat e të cilëve u shitën në cilësinë e dëshmitarëve në gjykim që ka zgjatur rreth dy vjet.