Punimet në pikën kufitare në Merdare mund të shtojnë kolonën

Punimet në pikën kufitare në Merdare mund të shtojnë kolonën

Përmes një komunikate për media Policia e Kosovës bën të ditur se në pikë-kalimin kufitar Merdare, që e lidhë Republikën e Kosovës me Serbinë, janë duke u kryer punime në ndërtimin e infrastrukturës dhe se këto punime mund të shkaktojnë kolonë duke pasur parasysh fluksin e mërgimtarëve në këtë sezon.

Ndërtimi i kësaj pike kufitare është donacion i BE-së dhe i njëjti pritet të rregullohet sipas standardeve të BE-se, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira të kalimit dhe kontrollit kufitar.

“Meqë projekti sipas planifikimeve ndërtuese pritet të zgjasë me muaj, me qëllim të shmangies së pritjeve dhe krijimit të kolonave të gjata, Policia e Kosovës informon të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët se të njëjtit mund të shfrytëzojnë pikë kalimet tjera kufitare që e lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë sepse edhe në ato pika aplikohen procedurat e njëjta të kalimit kufitar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftim thuhet se personeli policor dhe kontrolli kufitar do të jenë të përshpejtuar me qëllim të kolonave dhe pritjeve të gjata.

“Departamenti i Policisë Kufitare, gjatë sezonit veror do të punoj me kapacitete të shtuara të personelit policor dhe aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, me qëllim të evitimit të kolonave dhe pritjeve të gjata”, thuhet në njoftimin e policisë.