Mbrojtja e vështirë para Speciales: Krerët e UÇK-së me mundësi të kufizuara për avokatë

Mbrojtja e vështirë para Speciales: Krerët e UÇK-së me mundësi të kufizuara për avokatë

Një direktivë e miratuar dje në Hagë me të cilën ftohen avokatët që të paraqiten në Dhomat e Specializuara për “certifikim” nga administrata e kësaj gjykate, ka sinjalizuar se aktakuzat ndaj krerëve të UÇK-së mund të publikohen shpejt. Por, njëkohësisht lajmi ka shkaktuar edhe huti për faktin se të akuzuarit ose viktimat nuk do të kenë të drejtë të zgjedhin mbrojtësit e tyre pa pëlqimin e Gjykatës. Profesori i Çështjeve Penale Ismet Salihu ka thënë se të akuzuarit potencialë mund të zgjedhin mbrojtës vetëm nga ‘lista’ e Gjykatës.

Të gjithë avokatët që kanë deri 10 vite përvojë pune në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, qoftë vendore apo ndërkombëtare mund të jenë pjesë e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale për Kosovën, si avokatë të akuzuarave nga ana e kësaj gjykate, apo edhe familjarëve të viktimave. Ndonëse këta avokatë nuk do të kenë asnjë njohuri se kë do ta përfaqësojnë në bankën e të akuzuarave, deri në kohën kur klientët do t’u caktohen nga sekretaria e Gjykatës.

Ende pa u formalizuar aktakuzat e para, Gjykata Speciale për Kosovën të hënën hapi zyrtarisht konkursin për avokatë mbrojtës të të akuzuarve, të dyshuarve dhe familjarëve të viktimave.

Gjykata ka publikuar kriteret që duhet t’i plotësojnë kandidatët për tu bërë pjesë e listës së mbrojtësve, qoftë për të akuzuarit potencial, të dyshuarit dhe familjarët e viktimave që do të jenë pjesë e procesit gjykues të speciales.

Por hapja e procesit të aplikimit për mbrojtës po ndodh në kohën kur ende nuk janë ngritur aktakuzat e para për krimet e supozuara tё kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë me 1998, 1999 dhe 2000.

Kjo praktikë nuk kishte ndodhur në kohën e Tribunalit te Hagës për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, ku për të qenë pjesë e këtij Tribunali, do të duhej patjetër që avokati të kishte një klient i cili akuzohej ose dyshohej nga Gjykata e Hagës.

Njohës të çështjeve penalo juridike thonë se kjo është një praktikë më e pazakontë e Dhomave të Specializuara, duke pasur parasysh natyrën specifike të kësaj Gjykate.

Profesori i çështjeve penale, Ismet Salihu thotë se puna e Gjykatës Speciale në disa aspekte shumë të rëndësishme dallon prej gjykatave vendore, pasi është gjykatë hibride dhe e përzier, e cila ka elemente të ligjeve të Kosovës, por më shumë ka karakteristika ndërkombëtare.

“Të gjitha çështjet janë të rregulluara me ligjin për themelimin e kësaj gjykate që është nxjerr nga Parlamenti i Kosovës dhe në bazë të atij ligji gjykata ka nxjerr edhe statutin e vetë edhe rregullativën tjetër juridike”, thotë ai.

Profesor Salihu sqaron se të akuzuarit apo viktimat mund të zgjedhin të mbrohen vetëm nga avokatët që janë në listën e avokatëve të përzgjedhur mbi bazën e kritereve nga ana e Sekretarisë së kësaj gjykate.

“Behet lista me emra të avokatëve të certifikuar, të cilët të pandehurit dhe viktimat munden me i zgjedh. Dhe mandej gjykata e autorizon atë avokat ta mbroj të akuzuarin ose viktimën. Palët nuk kanë të drejt të propozojnë ose t’i emërojnë atje avokatët e vetë, nuk është si në gjykatat tona ku vetë personi i akuzuar ose i dyshuar e zgjedh avokatin, në këtë gjykatë i akuzuari mundet me zgjedh vetëm në listën e avokatëve të cilën do ta përpilon dhe aprovon gjykata speciale. Nëse i akuzuari nuk ka para ta paguaj një avokat mbrojte, atëherë sipas detyrës zyrtare gjykata ia cakton avokatin i cili do ta mbroj ”, ka shtuar Salihu.

Ndërkohë Avokati Tomë Gashi, i cili për 12 vite ka qenë pjesë e mbrojtjes në Tribunalin e Hagës për Krimet e Luftës në Ish –Jugosllavi, thotë se kjo praktikë nuk ka ekzistuar atje.

“Procedurat kanë qenë përafërsisht të ngjashme, por ka qenë e pamundshme që të regjistrohet dikush që nuk ka pasur klient në Tribunalin e Hagës për Ish Jugosllavinë.  Ne rastin e gjykatës speciale është krejtësisht e kundërta fillimisht kërkohet që të jetë funksionale kjo gjykatë që avokatët të aplikojnë dhe nëse i plotësojnë kushtet e caktuara atëherë këta do të jenë të regjistruar që i bie që mund të regjistrohet dikush si avokat edhe fare pa pasur klient”. thotë avokati Gashi.

Por, Gashi thotë se të akuzuarit mund të marrin secilin avokat që dëshirojnë, por që paraprakisht duhet të jetë i regjistruar në gjykatën speciale.

“Secili mundet me apliku që të regjistrohet që i bie nuk do të thotë avokat që kanë me pas klient në gjykatën speciale që ata tash për tash duhet të jenë të regjistruar, por mund të aplikojnë kur të dëshirojnë, nëse dikush që është i akuzuar përzgjedh një avokat që nuk është në listën e  gjykatës speciale ai duhet ta dërgoj dokumentacionin të regjistrohet dhe pastaj mund ta kryej funksionin e mbrojtës në Gjykatën speciale”, ka thënë Gashi për Express.

Bashkë me konkursin, Gjykata dje ka publikuar edhe Direktivën për mbrojtësit e cila rregullon kriteret e pranueshmërisë, përgatitjen profesionale dhe përvojën e nevojshme për përfshirje në Listën e Mbrojtësve.

Sipas kësaj direktive, të drejtë për të qenë pjesë e listës së mbrojtësve të të akuzuarave kanë të gjithë avokatët që kanë të paktën dhjetë vjet përvojë të dëshmuar në fushën e së drejtës dhe procedurës penale vendore dhe/ose në fushën e së drejtës dhe procedurës penale ndërkombëtare.

Për të qenë avokat bashkë mbrojtës, duhet të kenë të paktën shtatë vjet përvojë të dëshmuar përkatëse, qoftë si avokat i mbrojtjes apo i viktimave, si prokuror, gjykatës, ose në një funksion të ngjashëm në procese penale.

Ndërsa, për pranim në Listën e Mbrojtësve të viktimave, përfshihet të paktën pesë vjet përvojë pune e dëshmuar në çështje penale me viktima, përfshirë viktimat e cenueshme.

Në rastet kur ekziston nevojë e ngutshme për ndihmë juridike, një personi ose personave që gëzojnë të drejtën e përfaqësimit juridik në procese penale para Dhomave të Specializuar i  ose u caktohet një mbrojtës kujdestar. Mbrojtësit kujdestarë duhet të jenë menjëherë të disponueshëm dhe paguhen për punën në përputhje me Rregulloren për Ndihmë Juridike të Dhomave të Specializuara të Kosovës që do të publikohet më vonë.

Kandidatët duhet të kenë aftësi të komunikimit me shkrim dhe me gojë në një nga gjuhët zyrtare të Dhomave të Specializuara shqip, anglisht, serbisht si dhe të kenë të kaluar të pastër personale dhe profesionale.