Mbrojtja dhe prokuroria s’i njohin ekspertët, shtyhet gjykimi për terrorizëm

Mbrojtja dhe prokuroria s’i njohin ekspertët, shtyhet gjykimi për terrorizëm

Dy ekspertë nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike, në kuadër të Policisë së Kosovës, nuk kanë arritur që të enjten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, t’i përfundojnë dëshmitë e tyre, në gjykimin ndaj 10 të akuzuarve për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

Kjo për arsye se mbrojtësit e të akuzuarve, kanë kërkuar që kjo seancë të shtyhet, pasi që kanë thënë se ata nuk janë njoftuar më herët që këta ekspertë janë ftuar nga gjykata për të dëshmuar në këtë proces gjyqësor, shkruan Betimi për Drejtësi.

Ekspertët Ardian Krasniqi dhe Suad Haliti, ishin ftuar nga gjykatësja Suzana Qerkini, për seancën e së enjtes, pasi që kanë qenë pjesë e hetimeve ndaj të akuzuarve në këtë rast Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili,Z ejadin Berisha dhe Jeton Hajdini.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hadi Nura, avokati Besnik Berisha, ka deklaruar se nuk mund të parashtroi pyetje për ekspertët Ardian Krasniqi dhe Suad Haliti, pa e ditur paraprakisht se kush janë dhe pa i parë provat me të cilat, sipas tij, lidhet dëshmia e tyre.

Për këtë, avokati Berisha, kërkoi nga trupi gjykues që seanca e së enjtes të shtyhet për një datë tjetër, propozim ky që është përkrahur edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë.

Propozimin për shtyrjen e seancës e ka përkrahur edhe prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Abdurrahim Islami, i cili gjithashtu ka deklaruar se nuk mund të parashtroi pyetje për këta ekspertë, pa pasur informata për ta.

Pas një konsultimi me anëtaret e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Qerkini, ka aprovuar propozimin e mbrojtësve që eksperti Krasniqi të thirret edhe një herë tjetër për të dëshmuar në gjykatë, derisa është refuzuar propozimi që njëjtë të veprohet edhe me ekspertin Haliti.

Ky i fundit, megjithëse i ftuar nga gjykata, nuk do të ftohet për të dëshmuar në seancën e radhës.

Si pasojë e këtyre rrethanave, seanca e së enjtes është ndërprerë për të vazhduar më 23 janar 2018, në orën 9:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë në maj të vitit 2015, ndaj Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zejadin Berishës, Jeton Hajdinit dhe Kujtim Bytyqit.

Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zejadin Berisha dhe Jeton Hajdini, akuzohen se në periudha të ndryshme kohore, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë udhëtuar për në Turqi, e më pas për në Siri, ashtu që kanë kryer stërvitjet ushtarake dhe fizike si pjesë e organizatës terroriste “ISIS”.

Sipas aktakuzës, Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Bekim Halili,Zejadin Berisha dhe Jeton Hajdini kanë luftuar në Siri për një kohë, e më vonë janë kthyer në Kosovë. Me këtë, ata konsiderohet se kanë kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”.

Artan Kadriu, sipas aktakuzës, në kohën prej muajit shtator të vitit 2013, deri në muajin shkurt të vitit 2014, me qëllim që t’i bashkohet grupit terrorist “ISIS”, kishte udhëtuar për Turqi. Mirëpo, i njëjti nuk kishte arritur të shkoi në Siri pasi që i ishte ndaluar hyrja në Turqi nga ana e autoriteteve turke, të cilat e kishin kthyer të akuzuarin Kadriu në Prishtinë.

Kurse, Kujtim Bytyqi, akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, për të cilën vepër penale akuzohen edhe Zejadin Berisha dhe Bekim Halili.