Mijëra ligje të BE-së në Britani, që nga ai për punëtorët e deri tek mjedisi, pritet të anulohen dhe të zëvendësohen me ligjet e Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të nj�" />

Mbretëria bëhet gati për zëvendësimin e ligjeve të BE-së

Mbretëria bëhet gati për zëvendësimin e ligjeve të BE-së

Mijëra ligje të BE-së në Britani, që nga ai për punëtorët e deri tek mjedisi, pritet të anulohen dhe të zëvendësohen me ligjet e Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të një plani të ri.

Detajet e Draftit të Anulimit të Madh, siç njihet ndryshe, janë publikuar nga qeveria britanike një ditë pasi Mbretëria nisi zyrtarisht procesin dyvjeçar të largimit nga Bashkimi Europian.

Tani ministrave u duhet të bëjnë “copy” dhe “paste” të ligjeve të reja mbi ato të BE-së, për të shmangur “gropën e zezë” kur Brexit të nisë të japë efektet, shkruan BBC në edicionin online. Sidoqoftë, disa prej këtyre ligjeve nuk do të ndryshojnë menjëherë.

Në një deklaratë drejtuar anëtarëve të Parlamentit, sekretari për Brexit David Davis thotë se, “drafti i anulimit të ligjeve do t’u lejojë bizneseve të vazhdojnë edhe ditën pasi Britania të lërë BE-në, të informuara se rregullat nuk do të ndryshojnë “brenda natës”.

Gjithashtu, të drejtat e punëtorëve, ato të konsumatorëve dhe mbrojtja e mjedisit, që aktualisht janë sipas versioneve të BE-së, do të vazhdojnë të mbeten në fuqi edhe për pak pasi Britania të largohet.

Sidoqoftë, Londra është e vendosur për ndryshimin e madh. “Drafti ynë do t’i japë fund supremacisë së ligjeve të BE-së në Mbretërinë e Bashkuar, bazuar në rezultatet e referendumit të vitit të kaluar”, ka deklaruar Davis.

“Ligjet tona do të hartohen në Londër, Edinburg, Kardif dhe Belfast dhe nuk do të interpretohen nga gjyqtarë të Luksemburgut, por gjyqtarë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë Davis.