Mbishkrimi në një hotel zviceran shkakton skandal diplomatik

Mbishkrimi në një hotel zviceran shkakton skandal diplomatik

Një mbishkrim i shkruar në hyrje të pishinës së një hoteli në Arosa të Graubündenit të Zvicrës është shndërruar pothuaj në një  skandal politik në mes të dy vendeve.

“Mysafirëve tanë hebrenj: Ju lutemi bëni dush para dhe pas notit në pishinën tonë”.

Kjo porosi ka ngjallur reagime të ashpra në Izrael, ku është cilësuar si fyerje antisemitiste. Puna ka shkuar deri aty saqë për mbishkrimin ka reaguar edhe zëvendësministrja e Izraelit, e cila ka kërkuar një kërkim-faljeje nga Qeveria e Zvicrës, shkruajnë sot mediet zvicerane.

Ndërsa me reagimin e ambasadorit izraelit në Zvicër është hequr pllakati i përmendur.

Teksti i përmendur, me ose pa qëllim, i thërret kujtesës historike, respektivisht ‘detyrimi’ për të bërë dush të kujton detyrimin e hebrenjve për të shkuar në dhomat e gazit, në kampet naziste të përqendrimit, shkruan albinfo.ch.

Ndërkaq Ruth T., gruaja që e ka shkruar këtë tekst problematik, thotë se nuk ka pasur qëllim të keq, ndonëse pranon se ajo që ka dalë, mund të keqkuptohet.

Ruth thotë se shumica dërmuese e mysafirëve në shtëpinë me apartamente pushimi janë hebrenj.

Ajo ka vënë re se disa nga mysafirët nuk bënin dush para dhe pas notit, prandaj e ka shkruar këtë vërejtje.

Por ajo pranon se më e mençur do të ishte të mos apostrofohej një grup etnik, si në këtë rast hebrenjtë, që të mos kishte keqkuptime.