Mbishkrim enigmatik “UÇK” i shkruar me asfalt në mes të rrugës në Gjermani

09.08.2017 14:04
Mbishkrim enigmatik “UÇK” i shkruar me asfalt në mes të rrugës në Gjermani

“UÇK” është shkruar me shkronja të mëdha me bitum mbi asfaltin në një rrugë në Bad Tölz të landit gjerman të Bavarisë. Dhe kjo ka shërbyer si motiv për një artikull të publikuar në gazetën Merkur, në të cilën gazetari ngre shqetësimin nëse ky mbishkrim duhet trajtuar si mesazh politik i dënueshëm apo vetëm si një kundërvajtje.

Mund të mos jetë ashtu, por duket sikur punëtorit të rrugës i ka tepruar pak bitum dhe me të ka shkruar mbishkrimin në fjalë, thuhet në artikull. Në fakt aty ka qenë duke u bërë mbyllja e gropave që janë shkaktuar me prishjen e asfaltit por “dikush e ka shfrytëzuar rastin për të përhapur një mesazh politik”, transmeton albinfo.ch. Në mes të pistës ku kalojnë automobilat, shpërthen në rreth një metër gjerësi mbishkrimi “UÇK”.

Në kërkim të përgjigjes nëse një veprim i tillë është i dënueshëm si akt politik ose jo, gazeta citon zëvendësshefin e policisë së qytetit, i cili thotë se gjëra si kjo janë normale në qytete të mëdha, qofshin grafitë në mure ose në rrugë sikur në rastin më të ri. “Këtu bëhet fjalë hë për hë për shkaktim dëmi material”, pra jo për vepër penale të natyrës politike, siç do të ishte në rast se do të vizatohej ndonjë kryq nazist ose ngjashëm, pëercjell albinfo.ch. Për shenjat naziste parashihet dënim me deri në tri vite burg ose me gjobë.

Ndërsa gazetari përkujton se në kushtetutën e Bavarisë  UÇK- ja trajtohet si “organizatë ekstremiste”. Ndërsa pasuesja e saj, TMK-ja (dhe më vonë FSK-ja) nuk e trashëgon këtë emërtim pra nuk trajtohet si organizatë ekstremiste. Ajo është krijuar pas shuarjes së UÇK-së dhe si e tillë përfaqëson një organizatë civile teknike, ka thënë për gazetën një zëdhënës i Gjykatës Kushtetuese të Bavarisë.

Sido që të trajtohet ky mbishkrim, me ose pa peshë politike, autori i tij duhet të dënohet, qoftë edhe për shkaktim dëmi material, transmeton albinfo.ch. Autoritetet përgjegjëse janë në kërkim të përgjigjes nëse ai që e ka shkruar parullën në fjalë i takon firmës që ka kryer punimet në vendin e përmendur ose jo.