I mbijetuari i masakrës së Suharekës e fton Vuçiqin në shtëpi për t’iu përgjigjur tri pyetjeve

I mbijetuari i masakrës së Suharekës e fton Vuçiqin në shtëpi për t’iu përgjigjur tri pyetjeve
Burimi i fotografisë: Foto: Artan Nimani

I mbijetuari i masakrës së Suharekës, Gramoz Berisha, gjatë ceremonisë në 18-vjetorit e kësaj masakre, ka mbajtur një fjalim, përmes të cilit ka nxjerrë në mesazh jo të zakonshëm për kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Atij ia ka drejtuar tri pyetje për familjarët e tij të vrarë, e që ende nuk u dihet eshtrat.

“Çfarë ndodhi, kush e bëri dhe ku janë trupat?”, janë tri pyetjet Gramozit drejtuar kryeministrit të Serbisë, i cili tash është kandidat për president atje.

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve ai e ka ftuar Vuçiqin në shtëpinë e tij.

Fjalimi i tij i plotë:

Ne mblidhemi në çdo përvjetor duke u munduar që në mënyrë krejt normale të ndajmë dhimbjen dhe të kujtojmë atë që nuk ishte normale. Vijmë çdo vit, me shumë të njëjta. Me mallin e njëjtë, sepse ai nuk ndryshon në çdo vit, çdo muaj, çdo ditë është i njëjtë, vetëm sa rritet.

I kemi tre pyetje që na përsëriten: çfarë ndodhi, kush e bëri dhe ku janë trupat?!

Nëse në përvjetorin e ardhshëm nuk do t`i kishim këto pyetje sepse kemi marrë përgjigje, do të ishte më lehtë për ne. Ne sërish do të kishim dhimbje e mall, por do të mundoheshim që këto t`i përballojmë në mënyrë më normale.

Këto ditë i keni dëgjuar duke na folur për normalizimin. Në fakt, nga lidershipi i Kosovës pati edhe disa veprime.

Dua të them sot se po bëhen dy dekada që unë pres normalizim, Sepse nuk janë normale pyetjet që na mundojnë. Sepse është normale të na tregojë, çfarë ndodhi, kush e bëri dhe ku janë trupat?!

Prej këtu marrë guximin t`i drejtohem kryeministrit të Serbisë: Dera e shtëpisë sime është e hapur. Të pres të vish e të më përgjigjesh në këto pyetje. Çfarë ndodhi? Kush e bëri? Ku janë trupat?

E di që mund të përgjigjesh sepse je kryeministër që e menaxhon ushtrinë dhe policinë që e bëri gjithë krimin.

Nëse vjen, nuk do të kërkoj të kërkosh falje. Nuk më duhet mëshira e askujt. Më duhen përgjigjet që do të më mundësonin që normalisht të jetoja me dhimbjen time.

Na duhet e vërteta. E vërteta që të normalizon ty dhe Serbinë, dhe më lehtëson mua.

Kur e mendoj që po bëhen dy dekada dhe ende askush në Serbi nuk flet për atë që ndodhi dua të besoj se po ju vije turp. Nuk po flisni nga turpi.

Nuk dua të besoj se ende një shoqëri e tërë, një komb i tërë mendon si Millosheviqi.

Nuk dua të besoj për hatër të fëmijëve tanë, por më shumë për hatër të fëmijëve tuaj. Ata nuk meritojnë prindër që i rrisin me urrejtje.

Unë nuk u rrita me urrejtje. Babi im nuk më mësoi të urrej. Ndonëse u vra nga njerëzit tuaj pikërisht për shkak të urrejtjes./Insajderi.com