Mbi origjinën e shtetit të kapur

Mbi origjinën e shtetit të kapur

Praktika e kapjes së shtetit duhet të shpjegohet në origjinën e saj, në mënyrë, që të mos mbetet thjeshtë një tregim propagandistik në luftën e etiketave të cilën e zhvillojnë partitë në garën e pushtetit. Prej nga na erdhi kjo praktikë?

  1. Mendja dembele

Një mendimtar i njohur, derisa shpjegon mekanizmat e funksionimit të mendjes, e bën dallimin në mes mendjes dembele dhe mendjes punëtore. Mendja dembele është ajo që për të gjitha fenomenet dhe problemet e gjen një shkak të vetëm, ndërkaq mendja punëtore bën saktësisht të kundërtën, për një fenomen apo problem kërkon arsye dhe shkaqe të shumta. Në evolucionin e tyre shkencat sociale kanë lëvizur nga metoda e mendjes dembele tek metoda e mendjes punëtore. Shembull tipik i të parës janë klerikët e paedukuar me njohuri moderne, të cilët, nga rënia e gjethit e deri tek kataklizmat yjore në gjithësi, gjithçka e lidhin me zotin si shkak.

Sot, tek ne në Kosovë, derisa njeriu lexon mendimet e shumë opinionistëve, nuk e ka të vështirë të gjej shembuj të shumtë të dembelizmit mendor. I fundit në serinë e këtyre shembujve ishte një tekst i opinionistit të njohur Imer Mushkolaj, të cilin, rëndom, e lexoj deri në fund pa u mërzitur. Imeri, si dhe shumë opinionistë të tjerë, disa prej të cilëve sot janë edhe deputetë, për të gjitha problemet, prapësitë dhe ato që jemi mësuar t’i quajmë fenomene negative të këtyre 18 viteve të fundit, e gjejnë një shkak të vetëm – Partinë Demokratike të Kosovës. Padashur të paragjykoj motivet që frymëzojnë një analizë të tillë, konsideroj se kjo analizë  është e paqëndrueshme në shpjegimin e saj dhe e dëmshme për kauzën e vendosjes së drejtësisë për prapësitë e këtyre dy dekadave.

Në harkun kohor të këtyre dekadave, në Kosovë, ka vepruar një rrjet i dhjetra e dhjetra organizatave partiake dhe jo partiake, grupe nga më të ndryshmet, që nga asociacionet e pafundme të shoqërisë civile, grupe të ligjshme e të paligjshme të interesit ekonomik, banda ndërkombëtare, kombëtare, e lokale dhe, secila prej tyre, kush më shumë e kush më pak, kanë hisen e tyre në formësimin e realitetit kosovar të pasluftës.  Ndikimi ka qenë i shpërndarë përgjatë gjithë këtij rrjeti aktorësh që kanë luajtur, secili për hesap të vet, dramën e paligjshmërisë në Kosovë. Falë kësaj drame  sot shoqëria kosovare i ngjanë një shoqërie ku gjëja më funksionale është paligjshmëria. Paligjshmëria është bërë mënyrë e jetesës: dikush hedh mbeturinat nga katet e larta të banesave, një tjetër vjedh energjinë elektrike, dikush bën ndërtime pa leje, një tjetër ka uzurpuar trotuarin para restorantit të tij, një politikan vjedh votat e kandidatit rival, një tjetër ndërhyn në procedurat e prokurimit, një mjek kërkon para për shërbimin publik shëndetësor, një zyrtare në administratë harxhon orë të të telefonit zyrtar duke biseduar me një “ilake” në diasporë,  një student kopjon në orën e provimit, e dikush tjetër i jep para një ish komandanti lokal për ta futur në listën e veteranëve të luftës. Lista e formave të manifestimit të paligshmërisë është, tmerrësisht, edhe më e gjatë dhe të ndalesh e të thuash se krejt kjo është për fajin e PDK-së, kjo, ose është rrjedhojë e një mendje dembele, ose rrjedhojë e një motivi të ulët partiak, i cili gjithmonë ka një qëllim të vetëm : të njollosesh sa të jetë e mundur rivalin,  të idealizosh veten që, në fund të ditës, votat të ikin prej tij e të vijnë tek ti. Partia Demokratike e Kosovës ka qenë pjesë e këtij realiteti të pasluftës, që fatkeqësisht ende funksionon, por t’ia atribuosh asaj gjithë autorësinë, regjinë, rolet dhe veprimet e të gjithë aktorëve kjo gjithsesi se është e pasaktë. Dhe jo vetëm që është e pasaktë, por edhe e dëmshme për kauzën e drejtësisë, sepse duke i hedhur të gjitha prapasitë tek një aktor, krijon situatën e shfajësimit për të gjithë të tjerët e kjo natyrisht që nuk është drejtësi e vërtetë, por vetëm drejtësi selektive, e drejtësia selektive, në thelb, është një formë e padrejtësisë. Drejtësia selektive e shkatërron idenë bazë të demokracisë, si në rrafshin institucional, ashtu edhe në rrafshin e opinionit publik. Për këtë të dytën gjithsesi fajin e bartë një publicistikë e bazuar mbi metodën e mendjes dembele.

  1. Shteti i kapur që erdhi nga të ftohtit

I gjithë tregimi për “djallëzitë e PDK-së”, të cilin e kanë ndërtuar rivalët e saj, ka për fabul të tij të ashtuquajturën “praktikë të kapjes së shtetit”. Ata që duan të vijnë në pushtet premtojnë çkapjen e tij. Shumë mirë! Por çfarë është kjo kapja e shtetit? Përgjithësisht mendohet në situatën institucionale kur pushteti shtetëror përdoret për llogari të interesave të një grupi të caktuar në shoqëri. Qysh prej Aristotelit kjo praktikë është në fokus të mendimit filozofik. Aristoteli mendonte se të gjitha regjimet politike janë të destinuara të korruptohen dhe në ciklin e procesit politik njëri regjim ngritet si reaksion ndaj korruptimit të një tjetri e, që më vonë, pasi edhe vetë të korruptohet, t’ia lëshoj vendin një regjimi tjetër. Nga pikëpamja aristoteliane ata që premtojnë një regjim politik moralisht të përkyer nuk janë asgjë më shumë se sa një grup mashtruesish. Të tillët sot i gjejmë me bollëk në trendin populist që ka vërshuar botën.

Pas Aristotelit, e gjithë historia 2000 vjeçare politike e njerëzimit, fatkeqësisht, është një konfirmim i pikëpamjes së tij. Sëfundi komunizmi u shemb pikërisht sepse paralajmërimi i Aristotelit ishte i drejtë.

Kush e di, ndoshta Albin Kurti me sektin e tij politik, sot pas 2000 vitesh, do ta përgenjështroj Aristotelin! E kush, në fund të fundit, është Aristoteli para gjenialitetit të shokut Kurti!? Apo, çfarë peshe kanë 2000 vjet histori politike, para fuqisë së tij intelektuale për t’u dhënë zgjidhje përfundimtare enigmave të mëdha të mendimit politik!?

Ndoshta duhet të presim që Kurti me sektin e tij politik të përgenjështrojnë edhe  Maks Veberin, i cili shpjegon se si pasuesit e demagogut shpëtimtar, me të marrë pushtetin, shndërrohen në një shtresë zhvatësish, ngase prapa ligjërimit moral të liderit të tyre, ata fshehin vetëm dëshirat për hakmarrje, për pushtet, para dhe fitime. Me sa shihet sot nga ndërtesa e Komunës së Prishtinës, të nesermën që demagogu ynë shpëtimtar do të marrë pushtetin, libraritë e Kosovës do të kenë kërkesa të mëdha për librat e Maks Veberit.

Praktika e kapjes së shtetit duhet të shpjegohet në origjinën e saj, në mënyrë, që të mos mbetet thjeshtë një tregim propagandistik në luftën e etiketave të cilën e zhvillojnë partitë në garën e  pushtetit.

Prej nga na erdhi kjo praktikë?

Publicistika e mendjes dembele nuk ka dhënë ndonjë përgjegje serioze deri me tani. Në anën tjetër e vetmja përgjegje, që përseritet vazhdimisht, gjendet në komentet dhe librat e Veton Surroit, por teoria e tij e ka një defekt të madh filozofik. Ajo në thelbin e saj është raciste. Teza themelore e saj është se kapjen e shtetit duhet ta shpjegojmë me karakterin krimogjen të njerëzve të PDK-së dhe elektoratit të saj. Kushdo që, sadopak, ka njohuri elementare të aparatit shpjegues të shkencave sociale e kupton se kjo teori, jo që nuk ka asnjë vlerë shpjeguese, por për më tepër është e mveshur edhe me ngjyrime fashiste dhe kjo bëhet edhe më e rëndë kur mungon vetëdija për këto ngjyrime. Umberto Eco e thoshte se fashisti më i dëmshëm është ai i cili nuk e di se është fashist. Si kulturolog i jashtëzakonshëm Eco me siguri do të na propozonte një teori tjetër shpjeguese për praktikën e shtetit të kapur.

Kohë më parë, i pyetur për problemin e korrupsionit në Ballkan, kuptohet edhe në Kosovë, historiani britanik, Noel Malkolm, jepte një shpjegim nga perspektiva e asaj që njihet si histori e mentaliteteve. Nëse gjurmojmë për shkaqet historike, thoshte ai, atëherë duhet të kuptojmë se është gjysëm shekulli të komunizmit, një periudhë e gjatë kohore, e cila ka përcaktuar mentalitetet e këtij rajoni rreth pushtetit dhe qeverisjes. Ndoshta askund tjetër më shumë se në Kosovë nuk argumentohet kjo gjë. Për gjysëm shekulli në Kosovë praktika e shtetit të kapur ka qenë praktika e vetme e funksionimit të institucioneve. Le ta shikojmë nomenklaturën komuniste kosovare nga viti 1945 deri në rënien e komunizmit. E gjitha është një nomenklaturë farefisnore : etër dhe bij, gjyshër, nipa e mbesa, motra dhe vëllezër, xhaxhallarë e kusherinj, dajallarë, teze, halla e dhëndurë që favorizojnë njëri tjetrin në shpërndarjen e posteve, që nga nivelet e komitetit krahinor e deri tek drejtoritë lokale të poljoprivredes. I gjithë pushteti ka qenë i shpërndarë përgjatë linjave familjare dhe ky parim ka përfshirë të gjitha nivelet në institucionet politike, në ndërmarrjet shoqërore, në arsim, kulturë, shëndetësi, media. Kemi të bëjmë me një rast tipik kur trashëgimia biologjike, trashëgimia ideologjike dhe trashëgimia institucionale përbëjnë një proces unik. E tërë kjo nisi kur shokët e luftës, komandantët e ardhave partizane, në mënyrë që ta forcojnë më shumë pushtetin e tyre, filluan të martohen me njëri tjetrin. Kështu, gradualisht, ata krijuan një një klasë të veçantë sunduesish, të cilën, asokohe, do ta denoncoj, në nivel të Jugosllavisë, ish bashkëluftëtari i Titos, Milovan Gjilasi. Natyrisht Gjilasi do ta paguante shtrenjt guximin e tij, ndërsa klasa që ai denoncoj, pjesë e të cilës ishte edhe klasa fisnore e Kosovës, do të qëndroj e patundur në pushtet për 45 vite dhe po të mos shembej komunizmi, me siguri, do të qëndronte edhe 45 vite të tjera. Dhe meqë në krye të krejt këtij farefisi të madh në pushtet ishte Fadil Hoxha, atëherë, atij duhet t’ia njohim meritat për themelimin e praktikës së shtetit të kapur, shtetit që i shërben mirëqenies së farefisit, parasegjithash.

Kur me 2001 ish lideri i komunizmit fisnor të Kosovës vdiq, në varrimin e tij morën pjesë edhe Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj. Ata i bënë nderime të larta atij, me gjasë duke u nisur nga rituali i vjetër që thotë se për të vdekurin nuk duhet folur keq ngase shpirti i tij mund të hidhërohet e të rikthehet për tu hakmarrë. Shpirti i Hoxhës nuk kishte dhe nuk mund të kthehej gjithsesi, por mjaftonte fakti se ai kishte lënë pas trashëgiminë e tij, mentalitetin e pushtetit në shërbim të farefisit. Të gjitha partitë e pasluftës, në vend se të krijojnë distancë nga ky mentalitet, u zhytën kokë e këmbë në të. Ky ishte një nga gabimet e mëdha të Partisë Demokratike të Kosovës: pafuqia për të udhëhequr tranzicionin nga mentaliteti i komunizmit farefisnor drejt një demokracie qytetare ku lidhjet e fisit përfundojnë aty ku fillon ligji pozitiv i shtetit.

Këtë gabim ajo është duke e paguar sot e gjithë ditën duke qenë cak i sulmeve të përditshme të  atyre që u lindën, u rritën, u riprodhuan në ngrohtësinë e shtetit të kapur dhe sot nuk pushojnë se bërtituri, ditën dhe natën, për çkapjen e tij. Në krye të tyre është një parti që militantët e saj vazhdon t’i frymëzoj me ideologjinë e hoxhëve të këndej dhe andej kufirit. Fantazma e komunizmit, që 170 vite më parë endej nëpër qiellin e Evropës, vazhdon të endet ende nëpër qiellin e Kosovës. Natyrisht e lodhur deri në palcë nga goditjet e realitetit por, ende me mundësi për  bërë keq.

(Shkrimi fillimisht është publikuar në Gazetën Express)