Mbi 60 vjet burgim katër të akuzuarve për vjedhjen në ‘Albi Mall’ ku u vra një person

Mbi 60 vjet burgim katër të akuzuarve për vjedhjen në ‘Albi Mall’ ku u vra një person

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur publikisht aktgjykimin kundër të akuzuarve SH. C, L. B., L. S. dhe A. R.

Gjykata thotë se i akuzuari SH. C. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 15 viteve për veprën penale ‘Vjedhje grabitqare në bashkëveprim’.

Kurse i akuzuari L. B. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik burgu në kohëzgjatje prej 17 vite e 6 muaj për veprat penale ‘Vjedhje grabitqare në bashkëveprim’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’.

I akuzuari L. S. sipas gjykatës është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik burgu në kohëzgjatje prej 20 vite e 6 muaj për veprat penale ‘Vjedhje grabitqare në bashkëveprim’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’.

Ndërkaq, i akuzuari A. R. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej vite e 10 muaj për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale ‘Vjedhjes  grabitqare’.

“Të akuzuarve SH. C., L. B. dhe L. S. me aktvendim të veçantë ju është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më gjatë se dënimet e shqiptuara dhe koha e kaluar në paraburgim do t’ju llogaritet në dënimin e shqiptuar”, thuhet në njoftim.

“Gjykata ka konstatuar se të akuzuarit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, paraprakisht kishin arritur marrëveshje gojore për të vjedhur, ashtu që me datë 30.03.2015 rreth orës 01:00 pas mesnate në qendrën tregtare“Albi Mall” në Prishtinë, kishin shkuar tek hyrja në ndërtesën e qendrës tregtare “Albi Mall”, kishin hyrë në objekt të maskuar me kapela, shall dhe dorëza, ishin ngjitur në katin e tretë në drejtim të kafiterisë “DonCaffe”,  kishin hyrë në lokal dhe menjëherë e kishin marrë sefin dhe pastaj e kishin vërejtur se tani i ndjeri N.R. është afruar afër kafiterisë, pastaj i akuzuari L. S. më qëllim që ta mbajë pasurinë e vjedhur, menjëherë më armën e tipit Ekol Special 99 e kalibrit 7.65×17 me numër serik “EV-1341927” fillimisht  ka shtënë njëherë në drejtim të të ndjerit, pastaj kanë filluar të përleshen fizikisht. I akuzuari L. S. kishte shtënë edhe tri herë të tjera në të ndjerin, me ç’rast i ndjeri goditet 4 herë, duke marrë katër plagë vdekjeprurëse dhe i njëjti kishte vdekur në vendin  e ngjarjes  nga gjakderdhja e brendshme dhe  e jashtme  e cila ishte shkaktuar  si rezultat i veprimit dinamik të predhës, pasojë e goditjes me armë të zjarrit në kraharorë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Insajderi.com