Mbi 2500 maturantë humbin të drejtën e diplomimit

U publikuan rezultatet e Provimit të Maturës për afatin e gushtit. Në këtë afat, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se e kanë kaluar mbi 60 për qind e maturantëve.

Mbi 2500 maturantë humbin të drejtën e diplomimit

“Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) ka bërë publike rezultatet e afatit të gushtit të Provimit të Maturës Shtetërore, sipas të cilave pragun e kalueshmërisë e kanë arritur 3.873 maturantë (60.01 për qind) nga 6.454 sa i janë nënshtruar këtij provimi”, thuhet në komunikatën e MAShT-it.

Kryetari i KShM-së, Azem Guri, ka bërë të ditur se provimin e kishin paraqitur rreth 8.500 maturantë, por në testim kanë marrë pjesë vetëm 6.454 dhe prej tyre kanë arritur pragun e kalueshmërisë 60.01 për qind, ndërsa 2.581 maturantë mbetet të provojnë njohuritë e tyre në vitin e ardhshëm.

Guri tha se KShM e vlerëson të suksesshëm organizimin e administrimit të Provimit të Maturës në të dyja afatet dhe theksoi se këtë vit është vërejtur një vetëdijesim më i lartë i të gjithë akterëve të përfshirë në këtë proces, gjë që ka bërë që të mos paraqiten probleme që do ta dëmtonin këtë proces të rëndësishëm./Insajderi.com