Mbesa e Driton Kukës, një yll tjetër në ngritje

Mbesa e Driton Kukës, një yll tjetër në ngritje

Loriana Kuka i është afruar medaljes, por nuk e ka fituar dot një të tillë në kampionatin botëror të xhudos për juniorë (U-21) që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Kuka garoi të premten në kategorinë deri 70 kilogramë dhe në fund u rendit e shtata, shkruan sot Koha Ditore.

Për 20-vjeçaren ky është suksesi më i madh në karrierën e deritashme. Por në Zagreb mbesa e trajnerit Driton Kuka ka treguar luftëra të mëdha dhe ka dëshmuar se ka potencial për të prekur nivelet më të larta të xhudos.

Loriana në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në xhiron e dytë e mposhti koreanen Sungeun Kim duke realizuar “Waza-ari” e më pas edhe “Ippon”. Me “Waza-ari” më pas e mposhti suedezen Amanda Hakansson, ndërsa u ndal fillimisht në çerekfinale nga garuesja e Bosnjës, Aleksandra Samargjiq.