Mbahet protesta e katërt kundër korrupsionit teksa Grabovci njoftoi dorëheqjen

Mbahet protesta e katërt kundër korrupsionit teksa Grabovci njoftoi dorëheqjen

Disa qindra njerëz i janë bashkuar protestës së katërt me radhë të organizuar nga grupi i qytetarëve të pavarur kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Protesta është thirrur nga një grup qytetarësh pasi që Gazeta Online Insajderi ka filluar publikimin e një serie telefonatash të përgjuara të zyrtarëve të lartë të PDK-së – përfshirë këtu edhe kryetarin aktual Kadri Veseli dhe ish-kryetarin Hashim Thaçi, aktualisht president i vendit – përmes të cilave dëshmohet se si kjo parti shtrinë ndikimin e vet në institucionet publike të vendit përmes punësimeve të njerëzve të afërt me ta.

Gjatë kohës kur po mbahej protesta, protagonisti kryesor i këtyre përgjimeve, Adem Grabovci, njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.

Protesta e sotme vije pas dy aksioneve simbolike të organizuara: aksionit tek Prokuroria e Shtetit dhe ai afër Partisë Demokratike të Kosovës.

Ashtu siç tashmë është bërë e zakonshme, protestuesit janë mbledhur në sheshin Zahir Pajaziti dhe kanë marshuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovë.

Gjatë marshimit janë dëgjuar brohoritjet si “dorëheqja nuk mjafton”, “me hajna nuk ka shtet”, “hajnat në burg”, e të tjera./Insajderi.com