Mayweather-McGregor, biletat arrijnë deri në 100 mijë dollarë

26.08.2017 12:31
Mayweather-McGregor, biletat arrijnë deri në 100 mijë dollarë

Pas një lufte të gjatë deklaratash, Floyd Mayweather dhe Conor McGregor do të ngjiten në ring për të zhvilluar superduelin mes tyre.

Është një sfidë që do të hyjë në historinë e këtij sporti si më e pasura duke qenë se të ardhurat prej saj kapin shifrën rekord prej 1 miliardë dollarë.

Las Vegasi ka pritur spektakle të ndryshme, por asnjëherë një sfidë ku përballë do të jenë një boksier profesionist dhe një specialist i arteve marciale. Promovuesit e kësaj sfide e kanë përkufizuar atë si historike për të cilën do të flitet për një kohë shumë të gjatë.

Do të jenë rreth 20 mijë persona të pranishëm në “T-Mobile Arena”, ndërkohë çmimet e biletave për vendet pranë ringut kanë arritur deri në mbi 100 mijë dollarë. Për më tepër, do të jenë me miliona persona në botë që do të ndjekin këtë ndeshje nëpërmjet sistemit pay per vieë.

Për fituesin e kësaj përballjeje është përgatitur një gjerdan i veçantë i quajtur ‘Money Belt’. Ai do të jetë i krijuar me lëkurë krokodili dhe do të ketë në përbërje elementë prej ari 24 karatë, 3360 diamante si dhe me safirë e smeraldë.

Për Mayweather, një fitore e mundshme do të jetë shansi për të kaluar legjendën Rocky Marciano që u tërhoq nga sporti me bilancin 49 fitore e asnjë humbje. Në krahun tjetër, McGregor nëse fiton do të shkaktojë surprizën më të madhe në sportet e dyluftimit.