May thotë se Britania do të largohet nga tregu i përbashkët evropian

May thotë se Britania do të largohet nga tregu i përbashkët evropian

Britania e Madhe nuk ka ndërmend që të qëndrojë në tregun e përbashkët europian sepse vetë qëndrimi në këtë treg do të zhvlerësonte votën pro daljes nga Bashkimi Europian.

Ky ishte mesazhi i përcjellë nga kryeministrja britanike, Theresa May këtë të martë. Megjithatë, ajo tha se Londra sërish do të këmbëngulë për qasjen më të madhe të mundshëm në kwtw treg.

“Na duhet një marrëveshje që të mundësojë tregtinë sa më të lirë të mundshme të të mirave dhe shërbimeve mes Britanisë dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Duhet t’u japim kompanive britanike lirinë maksimale të mundshme për të operuar në tregjet europiane dhe të njëjtën gjë edhe atyre të kontinentit në tregun britanik. Por më lini të jem e qartë, ajo që propozoj unë nuk është anëtarësia në tregun e përbashkët”, tha May.

Kryeministrja britanike paralajmëroi Bashkimin Europian se ‘reagimet ndëshkuese’ për votën e shkëputjes do të dëmtonin edhe vetë vendet anëtare të BE-së dhe nuk do të shihen si akte miqësie.

May tha se vendimi për të dalë nga tregu i përbashkët ishte marrë që me votën pro Brexit.

“Prandaj që të dyja palët në referendum e bënë të qartë se një votë për shkëputjen nga BE, do të përkthehej në një votë shkëputjeje edhe nga tregu i përbashkët”, deklaroi ajo, njofton tch.

Në fakt sinjalet se Britania e Madhe nuk mund të zgjidhte tregun e përbashkët pas daljes nga BE u dhanë nga Angela Merkel më herët. Kancelarja gjermane tha se Londra nuk mund të ketë edhe daljen nga BE, edhe qëndrimin në tregun e përbashkët të saj.