Mavraj: Kombëtarja arritja ime më e madhe

Mavraj: Kombëtarja arritja ime më e madhe

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Mërgim Mavraj, ka folur në një intervistë për gazetën më të madhe gjermane “Bild” në lidhje me të arriturat e tij.

Mbrojtësi i skuadrës gjermane Humburger SV iu përgjigj të gjitha pyetjeve të gazetarit, duke u përqendruar gjatë edhe te ecuria me skuadrën Kombëtare.

“Pjesëmarrja e Shqipërisë në ‘Euro 2016’ bashkoi të gjitha grupet etnike të kombit tonë, sepse ai ishte një turne historik për ne. Thirrja në Kombëtare është nderi më i madh që më kanë bërë në aspektin sportiv dhe arritja ime më e madhe”, ka thënë ai.

Në vijim, Mavraj flet edhe për çështjet e besimit fetar dhe rutinën e përditshme.

“Besoj në fenë islame, madje kam tre miq imamë, me të cilët jam përherë në kontakt dhe mësoj shumë prej tyre. Jam shumë i disiplinuar në aspektin sportiv, madje edhe kur jam me pushime mendoj përherë se çfarë programi do të ndjek menjëherë pasi të kthehem në stërvitje”, tha ai.

Një koment, Mavraj e shkëput edhe për bashkëkombësin Taulant Xhaka, duke theksuar se ai është një person fantastik, por gjithashtu edhe një model shumë i mirë për të rinjtë shqiptarë.