Pas retorikës armiqësore të ditëve të fundit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, është përpjekur të zbusë tensionet mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, duke thënë " />

Mattis: Lufta do të ishte katastrofike

Mattis: Lufta do të ishte katastrofike

Pas retorikës armiqësore të ditëve të fundit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, është përpjekur të zbusë tensionet mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, duke thënë se Uashingtoni ishte ende i interesuar në zgjidhjen e krizës përmes diplomacisë.

Gjatë një fjalimi në Kaliforni në orët e vona të së enjtes, shefi i Pentagonit tha se ishte detyra e tij të qëndronte gati për një konflikt të mundshëm, por shtoi se lufta do të ishte katastrofike. Sipas Mattis, përpjekjet diplomatike të Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson dhe ambasadores amerikane në OKB, Niki Haley, po japin frytet e para.

Megjithatë, ai nuk dha detaje lidhur me përpjekjet diplomatike që po zhvillohen: “Tragjedinë e luftës bota e njeh shumë mirë. Ajo nuk ka nevojë për ndonjë karakterizim tjetër përveç faktit se do të ishte katastrofike”.

Peniani njoftoi të enjten se po finalizonte planin për të lëshuar 4 raketa në territorin amerikan të Guamit. Kjo shtyu kreun e Shtëpisë së Bardhë të deklaronte se Koreja e Veriut duhet të jetë shumë nervoze nëse bën diçka kundër SHBA-së. Duke folur nga klubi i tij i golfit në Bedminster të Nju Xhersit, Donald Trump sugjeroi se kërcënimi i tij ndaj Koresë së Veriut se do të përballej me “zjarr e furi”, mbase nuk kishte qenë i mjaftueshëm. Ai paralajmëroi regjimin komunist se do të ketë telashe si pak kombe në histori nëse nuk kontrollon veprimet e tij.

Përshkallëzimi i konfliktit mes Uashingtonit dhe Penianit ka shqetësuar aleatët europianë të SHBA-së. Politikanë gjermanë kanë propozuar që BE-ja të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës mes dy vendeve. Ndërkaq, Australia bëri të ditur se është e gatshme t’i bashkohet një lufte të mundshme kundër Koresë nëse Amerika do të sulmohet.