Mattis konfirmon se mbetet në Pentagon

Ministri i mbrojtjes së SHBA thotë që thashethemet se i ka ditët e numëruara në Pentagon për shkak të marrëdhënieve të acaruara me Trumpin nuk duhet marrë seriozisht.

Mattis konfirmon se mbetet në Pentagon

Ministri amerikan i mbrojtjes Jim Mattis i ka përgënjeshtruar thashethemet se së shpejti do të detyrohet ta braktisë postin në Pentagon për shkak të marrëdhënieve të këqija me presidentin Donlad Trump, transmeton AFP.

“Sigurisht se nuk mendoj të shkoj, e adhuroj të jem këtu”, i ka thënë Mattis gazetarëve, transmeton Insajderi.com.

Gjenerali i marinës në pension ka porositur se “ato thashetheme nuk duhet marrë seriozisht”.

Por, edhe New York Times kohë më parë e ka publikuar një tekst në të cilin ardhmëria e Mattisit si ministër i mbrojtjes paraqitet si “jo e sigurt”.

“Këto thashetheme do të zhduken, ndërsa njerëzit të cilët i kanë nisur mund të fillojnë të shkruajnë thashetheme të reja. Kjo është kështu në këtë qytet”.

Vet Trump më 5 shtator ka thënë se Mattis do të mbetet në funksionin e ministrit të mbrojtjes.

“Mbetet këtu. Jemi shumë të lumtur që e kemi, me të po i renditim fitore të shumta”, ka thënë Trump.

Zyrtarët perëndimorë kanë vetëm lëvdata për Mattisin dhe autoriteti e tij në NATO është rritur, shkruan Reuters.

Mattis e ka braktisur ushtrinë në vitin 2013 dhe pas kësaj ka punuar në universitetin prestigjioz Stanford.

Siç ka thënë, thirrja ta marrë detyrën e ministrit e ka gjetur në momentin kur “plotësisht e gëzonte jetën në perëndim të Rocky Mountains”./Insajderi.com.