Mashtrimi qindra mija euro në Prizren, MASHT-i ende asnjë masë ndaj Institucionit DBBS

15.11.2017 14:33
Mashtrimi qindra mija euro në Prizren, MASHT-i ende asnjë masë ndaj Institucionit DBBS

Ministria e Arsimit, ende nuk e ka ndërmarrë asnjë masë ndaj Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, DBBS në Prizren. Gazeta Express ka raportuar në fund të muajit tetor se si drejtori ekzekutiv i këtij institucioni është arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe po hetohet nga Prokuroria bashkë me partnerin e tij në biznes, për mashtrimin e 327 personave, duke përfituar nga ata 889,500.00 euro. Zyrtarë të Këshillit Drejtues i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve të cilët e kishin akredituar këtë institucion vetëm dy ditë para arrestimeve, thonë se nuk kanë qenë në dijeni se çfarë kishte ndodhur aty.

Këshilli Drejtues i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve me 30 gusht të këtij viti kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit akrediton deri në vitin 2020 Institucionin për Arsim dhe aftësim Profesional DBBS në Prizren, në dy programe. Vetëm dy ditë më herët, Policia e Kosovës kishte vënë në pranga drejtorin ekzekutiv të DBBS, Flamur Hoxhën për dyshimet se i njëjti kishte mashtruar studentë të këtij institucioni si dhe kishte falsifikuar dokumente.

Drejtori i AKK, Lah Nitaj, ka thënë për Express se nuk kanë qenë në dijeni për këto zhvillime në këtë shkollë, në kohën kur është marrë vendimi për akreditim. Madje ai thotë se rastin e kanë dëgjuar vetëm në ditën kur ka raportuar Gazeta Express, pra një muaj e gjysmë pasi është arrestuar Flamur Hoxha.

“AKK dhe Këshilli Drejtues është informuar vetëm nga mjetet e informimit, përkatësisht shkrimi i gazetës Express. Deri tani nuk kemi asnjë informatë zyrtare nga cilido institucion! Në mbledhjen e KD (Këshillit Drejtues) të mbajtur me 03.11.2017, veç tjerash është diskutuar edhe ky rast”.

E ndonëse kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysmë që kur DBBS është mbyllur me vendim të Prokurorisë e cila është duke zhvilluar hetimet për këtë rast, ky institucion vazhdon të mbetet i licencuar. AKK-ja do të presë raportet e ekspertëve për të vendosur nëse do t’ia heqë apo jo licencën institucionit në fjalë.

“KD ka marrë vendim që të bëhet vizitë nga ana e panelit të ekspertëve për ta bërë Vlerësimin/Monitorimin e kushteve të akreditimit dhe aspekteve tjera që lidhen me këtë proces Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe Këshilli Drejtues funksionojnë  sipas Ligjin për Kualifikimet Kombëtare, dhe bazuar në ligj ne e presim raportin e ekspertëve. Konstatimet e tyre do të analizohen në mbledhjen e parë të KD dhe do të merren masat siç e parashohin aktet ligjore”, ka thënë Nitaj në përgjigjet elektronike për Gazetën Express.

Institucioni i Arsimit dhe aftësimit profesional DBBS, drejtor ekzekutiv i së cilës ishte prizrenasi Flamur Hoxha ofronte shërbime për aftësim profesional të të rinjve, me kontratë një vjeçare. Në fund të trajnimit kandidatët siguroheshin se do punësoheshin në Gjermani nëpërmjet një agjencie ndërmjetësuese e quajtur MNP Personal Leasing. Këtë të fundit e menaxhonte partneri në biznes i Flamur Hoxhës, Besim Rexhaj.

Kompania e këtij të fundit, e cila ndodhet në po të njëjtin objekt me shkollën DBBS, ka afruar shërbime të ndërmjetësimit edhe për persona të tjerë që nuk kanë marrë pjesë në trajnime profesionale, duke lidhur kontrata me ta, ku thuhej se për gjashtë muaj do t’u rregullonin dokumentacionin e nevojshëm për vizë pune në Gjermani brenda afatit prej 7 muajve.

Flamur Hoxha tashmë gjendet në paraburgim që nga 28 gushti dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar ende hetimet, ndërsa partneri i tij Besim Rexhaj, tashmë është i arrestuar nga autoritet e Republikës së Shqipërisë, lidhur me ekzekutimin e dënimit të shqiptuar nga Gjykata e Rrethit në Tiranë për veprën penale të mashtrimit.

Ndërkohë, Gazeta Express u ka dërguar pyetje Prokurorisë Themelore në Prizren për të sqaruar nëse ata janë duke e hetuar shkollën DBBS për mashtrim, apo vetëm menaxherin e saj Flamur Hoxhën, por Prokuroria nuk ka pranuar të jap informata tjera me arsyetimin se janë në fazën hetimore.

Deri më tani në Prokurorinë Themelore të Prizrenit kanë denoncuar mashtrimin 327 viktima. Ndërsa vlera e dëmit arrin shumën prej 889,500.00 euro.

Express javë më parë ka sjellur rastet e tre të rinjve, viktima të këtij mashtrimi, të cilët kanë paguar deri në 3 mijë euro për një vizë pune në Gjermani.