Mashtrimi i dekadës

Mashtrimi i dekadës

Po bëhet gati një dekadë qyshkur patën nisur zotimet për heqjen e vizave (2010), mirëpo e njëjta çështje ka mbetur e pazgjidhur edhe sot, ndonëse kanë kaluar gati 8 vjet.

Politikanët kosovarë përgjatë dekadës së fundit pos liberalizimit premtuan edhe integrimin e Kosovës në BE, krijimin e ushtrisë, si dhe finalizimin e procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Pavarësisht kësaj, asnjëra prej këtyre çështjeve nuk pritet të ketë zgjidhje të shpejtë, shkruan “Zëri”.

Kështu konsiderojnë ekspertët e këtyre fushave, të cilët thonë se institucionet duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim.

Njohësit e procesit të integrimit dhe liberalizimit mbeten skeptikë nëse këto dy procese do të përmbyllen, ani pse një gjë e tillë po vazhdon të premtohet edhe sot nga ana e Qeverisë. Madje, sa i përket liberalizimit ende nuk është zgjidhur kushti kryesor (Demarkacioni), ndonëse janë bërë gati tre vjet prejse është nënshkruar.

Nga ana tjetër, ekspertët e çështjeve ushtarake vlerësojnë se ushtria nuk do të bëhet as për pesë vjet të tjera. Megjithëkëtë, zyrtarë të Qeverisë thonë se janë duke punuar drejt përmbylljes së këtyre çështjeve. Kurse sa i përket dialogut me Serbinë (i nisur më 2011-n) njohësit e këtij procesi thonë se ai nuk ka përmbushur aspak pritjet e qytetarëve.

Rrugëtimi, i vështirë drejt liberalizimit

Liberalizimi i vizave nuk është proces që mund të finalizohet lehtë. Përkundrazi, problemin kyç në këtë proces e paraqesin pesë shtetet e BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kështu thotë profesori i së drejtës evropiane, Avni Mazreku, i cili në një bisedë për “Zërin” shpjegon në tërësi se si shkojnë procedurat për të ardhur deri te heqja e vizave.

“Kur flasim për liberalizimin e vizave është vështirë të përcaktohet se kur një vendim mund të merret për liberalizmin e vizave të Kosovës kur dihet se ky vendim merret në Këshillin e Bashkimit Evropian, përkatësisht në konfiguracionin e ministrave  të Punëve të Brendshme. Ky vendim merret sipas sistemit të shumicës së kualifikuar”, ka deklaruar ai për “Zërin”.