Mashtrimet e Milaim Zekës, kusht për viza!

Mashtrimet e Milaim Zekës, kusht për viza!

Katër raste hetimore, të cilët kanë të bëjnë me krim të organizuar dhe korrupsion, janë futur nën “llupën” e Bashkimit Evropian. Prokuroria e Shtetit ka marrë vendim së fundi që edhe ato t`i shënjestrojë për procesin e liberalizimit të vizave.

“Koha Ditore” është njoftuar se rastet e shënjestruara janë: rasti “Viza”, ku i dyshuar është deputeti Milaim Zeka; rasti “Klina”, ku i dyshuar ka qenë ish-kryetari i Klinës, Sokol Bashota; rasti “Shkolla”, i cili ka të bëjë po ashtu me mashtrim vizash, si dhe rasti “Avanca”, që ndërlidhet me dyshimet për keqpërdorime në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPPM).

Të gjitha këto raste janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale. Shënjestrimin e tyre e ka konfirmuar Prokuroria, por nuk ka pranuar të japë detaje rreth të dyshuarve, veprave penale apo edhe për llojin e keqpërdorimeve, me arsyetimin se hetimet janë duke vazhduar dhe se “në këtë fazë mund të dëmtohen”.

920 kosovarë kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi. Aplikantët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit janë gjendur brenda një skeme mashtrimi. Insajderi ka hulumtuar vitin e kaluar këtë rast.

Qytetarëve u ishin premtuar viza pune në shtetin më të zhvilluar në Evropë.

Por, në vend të punësimit, këta 920 kosovarë kanë humbur ato pak kursime që kishin. Paratë kanë përfunduar në xhepat e Milaim Zekës dhe partnerit të tij.

Deputeti Milaim Zeka, së bashku me partnerin e tij, Ilir Krasniqin kishin hapur një agjenci punësimi të quajtur “Ilir Krasniqi e Milaim Zeka OP”, me numër biznesi 1284891.

Firma ishte regjistruar më 2 shkurt 2016 në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. “Zyra e punësimit” ishte hapur në të njëjtin ambient me zyrat e portalit “Pa rrotlla” në lagjen “Pejton” në Prishtinë.

Stafi i zyrës kishte mbajtur në krah karta identifikimi me mbishkrimin “Pa Rrotlla”.

Ndërkohë, Zeka ishte tërhequr me letra nga firma me arsyetimin se është person publik. Këtë e ka pohuar partneri i tij, që tashmë ndodhet në paraburgim.

Firma tashmë quhej “Ilir Krasniqi O.P”.

Mashtrimet e Zekës dhe Krasniqit me këtë agjenci tashmë kanë përfunduar. Një hetim penal që kishte nisur kundër Krasniqit është zgjeruar edhe kundër Zekës.

Zeka është kujdesur që të gjitha njoftimet e kompanisë të botuara në portalin e tij, “Pa Rrotlla” të fshihen. Por, këto njoftime kanë mbetur në faqen e portalit “Bota Press”, në të cilat citohet portali i Zekës.

Viktimat e mashtrimit i kanë treguar Insajderit përvojat e tyre prej ditës së aplikimit, deri në momentin që kishin vendosur të deklaroheshin publikisht për këto mashtrime.

I.B., nga Gjakova kishte aplikuar për vizë një vit më herët. Ai ka faturën e një pagese prej 1050 euro në zyrat e portalit “Pa Rrotlla” që gjendet në Pejton, në rrugën “Pashko Vasa” në katin e dytë të një ndërtese në të cilën gjendet kompania e sigurimeve “Sigal”.

Zyrat janë në pronësi të deputetit, Milaim Zeka.

Ai ka treguar për Insajderin detajet e aplikimit, kontratën që nuk i ishte dhënë kopje, dëftesën e pagesës dhe talljet e pronarëve me paratë e tij.

Ka thënë se posa kishte paguar për vizën, gjithmonë ishin gjetur arsyetime për “vonesat e daljes së vizës së punës”.

Viktima të mashtrimit janë deklaruar edhe Baki Thaçi, Drita Zeneli, Fahrije Huskovski, e Veprim Bojaj.

Në kohën kur Insajderi po hulumtonte rastin e mashtrimit, është aktivizuar edhe Prokuroria.

Ndryshe Milaim Zeka kishte sulmuar në Kuvendin e Kosovës Gazetën Online Insajderi, pas publikimit të një artikulli rreth dyshimeve se deputeti i Nismës për Kosovën kishte mashtruar qytetarët e Kosovës nëpërmjet një agjencie punësimi.

Por, Insajderi ka siguruar komunikimet e pronarëve të agjencisë së punësimit “Ilir Krasniqi Milaim Zeka OP”.

Krasniqi i thotë Zekës që ta denoncojë ku të dojë.

“Se ti mendon që gjermanët ju besojnë fjalëve tua? Klm”, shton Krasniqi.

Zeka insiston që të nënshkruhet marrëveshja në mënyrë që ta tërheqë padinë për shmangie taksash në Gjermani.