Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka organizuar takim të nivelit të lartë, ku kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryem" />

MAShT organizoi takim të nivelit të lartë ku u diskutua gjendja në arsim

MAShT organizoi takim të nivelit të lartë ku u diskutua gjendja në arsim

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka organizuar takim të nivelit të lartë, ku kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Enver Hoxhaj, përfaqësues të drejtorive komunale të arsimit, rektorë të universiteteve publike e private, përfaqësues të organizatave për arsim dhe të shoqërisë civile.

Në këtë takim është biseduar për gjendjen në të gjitha nivelet e arsimit dhe mundësitë që bashkarisht të përmirësohet gjendja dhe të rritet cilësia.

Në fjalën e hapjes, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi theksoi se sigurimi i cilësisë në arsim mbetet sfidë për të gjitha nivelet.

Duke folur për nivelin parashkollor, ministri Bytyqi tha se mbetet shqetësuese pjesëmarrja e ulët, pasi që kemi një pjesëmarrje prej 30-33 përqind, ndërsa kërkesa e BE-së është që deri në vitin 2020 kjo pjesëmarrje të jetë 95 përqind. “Kjo mbetet sfidë për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe edukatorëve, prandaj duhet të kemi një politikë nacionale në këtë drejtim”.

Ndërsa, sa i përket sigurimit të cilësisë në nivelin parauniversitar, ministri Bytyqi ndër të tjera përmendi mungesën e koordinatorëve të cilësisë në shkolla. “Aktualisht jemi larg numrit që duhet të jetë. Kemi 140 koordinatorë të cilësisë nga 1100 sa duhet të jenë. Ne, shumë shpejt do ta vendosim një koordinator në qendër, koordinator nacional e që ka detyrë të marrë informacione nga qendrat”.

Ministri Bytyqi po ashtu, theksoi se tashmë është formuar komisioni për tekste shkollore dhe viti i ri shkollor do të na gjejë me tekste të reja që do të jenë në përputhje me kurrikulat.

“Politizimi i shkollave ekziston. Kyçi i kësaj ne konsiderojmë se është menaxhimi i shkollave. E para është se duhet të gjejmë një formulë të zgjedhjes së drejtorëve. Duhet të fillojmë diskutimin që drejtorët e shkollave të mos jenë koordinatorë të pikave të zgjedhjeve. Këtë po e theksoj sepse cilësia e menaxhimit të mirë varet nga drejtori”, theksoi ministri Bytyqi.

Ministri foli edhe për arsimin profesional, ku ndër të tjera theksoi se jemi në përgatitje të një strategjie nacionale, sepse besojmë që është çelësi për të rinjtë.

Ndërsa, sa i përket arsimit të lartë, ministri Bytyqi theksoi numrin e madh të universiteteve publike dhe private. “Mbetet sfidë që universitetet dhe kolegjet të koordinohen”.

Ministri foli edhe për Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe theksoi se tashmë është bërë një Udhëzim Administrativ dhe është publikuar thirrja publike për zgjedhjen e anëtarëve të Këshilit Shtetëror të Cilësisë.

Për të gjitha sfidat në arsim, ministri Bytyqi përveq që kërkoi përkushtimin e të gjithëve, theksoi se pa një buxhet më të madh është e pamundur të kemi një sistem të qëndrueshëm të arsimit.

Ndërsa, kryeministri Haradinaj theksoi se Qeveria e Kosovës është e interesuar që ta rregullojë gjendjen në arsim, pa kërkuar fajtorë, dhe ftoi të gjithë akterët që të jenë të përkushtuar për ta ndryshuar gjendjen ekzistuese.