MASHT deklarohet rreth ankesës së ministres shqiptare për hotelin në Gjakovë

16.08.2017 19:39
MASHT deklarohet rreth ankesës së ministres shqiptare për hotelin në Gjakovë

Zyrtari i Ministrisë së Arsimit të Kosovës, Nuhi Gashi, ka pranuar se ishte përfshirë në një email të sekretarisë së Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, ku ministrja shqiptare e Arsimit, Mirela Karabina, ankohej për kushtet e akomodimit në Kosovë.

Në këtë email, i cili ka ardhur edhe në adresën e zyrtarit, i cili ka organizuar seminarin e gjuhës shqipe për mësuesit e diasporës, stafi i ministres Karabina e quan skandaloz akomodimin në një hotel që nuk ka 5 yje në qytetin e Gjakovës, raporton KTV.

Po ashtu stafi i saj ankohet edhe për faktin se në sallën ku po mbahej seminari, temperaturat ishin shumë të larta.

Këtë seminar e kanë organizuar së bashku dy ministritë.

Zyrtari Gashi i ka thënë KTV-së se ministria e arsimit e Shqipërisë e ka ditur që nga muaji shkurt se ku do të akomodohet ministrja.