Marrëveshjet me Serbinë të aprovohen fillimisht nga Kuvendi

Marrëveshjet me Serbinë të aprovohen fillimisht nga Kuvendi

Nuk duhet të ketë marrëveshje të reja në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd pa zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura.

Kështu u tha në diskutimin me temën “Dialogu Kosovë-Serbi dhe BE: A duhet të ratifikohen marrëveshjet e Brukselit në Kuvend?”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Komisionin për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) deklaroi se një pjesë e marrëveshjeve të dialogut Kosovë- Serbi ende nuk janë publike, si plani zbatues i marrëveshjes së drejtësisë, i cili po mbahet i fshehtë nga publiku dhe për të cilin KDI ka bërë kërkesë ndaj institucioneve përkatëse për qasje në këtë dokument, por ende s’ka marrë përgjigje.

Kushtrim Istrefi, autori i hulumtimit parlamentar “Roli i kuvendit në dialogun Kosovë-Serbi dhe rrugëtimi drejt BE-së”, theksoi se ekzekutivi duhet të tregojë qartë se çfarë marrëveshje janë nënshkruar në kuadër të dialogut, nëse ato janë marrëveshje ndërkombëtare, traktate apo marrëveshje me mirëbesim.

Istrefi deklaroi se MSA parasheh masa ndëshkuese në rast të moszbatimit të marrëveshjeve të dialogut, në kuadër të së cilës komisionet parlamentare dhe Kuvendi kanë rol të shtuar në mbikëqyrjen e procesit të dialogut.

Ai shtoi se edhe dy shtete të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën mund të nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare detyruese.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra kërkoi një përfshirje më të madhe të deputetëve në dialogun Kosovë-Serbi për t’i dhënë legjitimitet këtij procesi, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Vjosa Osmani-Sadriu, kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme vlerësoi se lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi kanë mbizotëruar paqartësi nëse marrëveshjet e arritura duhet të ratifikohen ose jo në Kuvend.

Ajo vlerësoi hulumtimin si një udhërrëfyes për vlerësimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut dhe theksoi nevojën e amandamentimit të ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare.

Korab Sejdiu, anëtar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, vlerësoi se qasja e shtetit të Kosovës ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare po cenon shtetësinë e vendit.

Ai tha se nuk duhet të ketë marrëveshje të reja në kuadër të dialogut pa zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura. Ky diskutim u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.