Marjan Dema shpërfill Statutin e UP-së, zbut kriteret e kalueshmërisë

Insajderi

Insajderi Mehdi Mulaj

15.09.2016 09:38

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë vendim për kushtet e regjistrimit të studentëve në vitet vijuese të nivelit bachelor dhe master, duke e shkelur Statutin e UP-së. Në dy vendime që Senati i ka nxjerrë më 1 shtator të këtij viti, ka vendosur kritere për regjistrimin e viteve pasuese të studimeve universitare, duke përcaktuar përqindje të kredive, kurse Statuti e thotë qartë se studenti nuk mund ta regjistrojë vitin tjetër pa e përfunduar më sukses vitin paraprak. Rektorati thotë se këtë po e bën për hir të normalizimit të gjendjes në UP.

Marjan Dema shpërfill Statutin e UP-së, zbut kriteret e kalueshmërisë

Senati në vendimin e 1 shtatorit ‘mbi kushtet e regjistrimit të vitit vijues të studimeve themelore-bachelor për vitin akademik 2016/2017’, mori vendim që regjistrimi në vitet vijuese të studimeve të bëhet me përqindjen e kalueshmërisë së provimeve.

Kështu, studenti për të kaluar nga viti i parë në vitin e dytë të studimeve duhet t’i ketë 70 për qind të kredive.

“Vitin e dytë të studimeve mund ta regjistrojnë ata studentë të cilët i kanë fituar 70 % të numrit të përgjithshëm të kredive, përkatësisht lëndëve mësimore të vitit të parë të studimeve,  (studentët e të gjitha drejtimeve të Fakulteteve të Arteve në kuadër të 70 % duhet ta kalojnë edhe lëndën kryesore e cila bartet nga viti në vit)”, thuhet në vendimin e Senatit të datës 1 shtator 2016.

Neni 149, pika 1 e Statutit të UP-së, nuk lejon që studenti ta vijojë vitin tjetër pa e përfunduar me sukses vitin paraprak.

“Përfundimi me sukses i vitit në pajtim me programin e studimeve është parakusht që studenti të regjistrohet në vitin tjetër”, precizon Statuti i UP-së.

Rektorati shkeljen e Statutit e arsyeton, duke thënë se po e bën për ta kthyer UP-në në normalitet.

“Duke marrur parasysh faktin dhe praktikat e deritashme në Universitet, neve po ndërmarrim veprime për të sanuar situatën, ndërprerë praktika joefikase dhe në perspektivë sa më të shkurtër ta kthejmë Universitetin në normalitet, përfshirë edhe kushtet e kalueshmërisë së studentëve nga viti paraprak në vitin vijues”, thuhet në përgjigjen e UP-së dhënë për Gazetën Insajderi.

Kurse për regjistrimin e vitit të tretë, Senati e ka ulur përqindjen e kalueshmërisë së provimeve, duke e sjellë atë në 60 për qind.

“Vitin e tretë të studimeve mund ta regjistrojnë ata studentë të cilët i kanë fituar 60 % të numrit të përgjithshëm të kredive, përkatësisht lëndëve mësimore të vitit të dytë të studimeve,  (studentët e të gjitha drejtimeve të Fakulteteve të Arteve në kuadër të 60 % duhet ta kalojnë edhe lëndën kryesore e cila bartet nga viti në vit)”, thuhet në vendim.

Kur është fjala për vitin e katërt, kjo përqindje bie edhe më shumë. Tashmë studentëve u duhen vetëm 40 për qind e suksesit të vitit paraprak.

“Vitin e katërt të studimeve mund ta regjistrojnë ata studentë të cilët i kanë fituar 40 % të numrit të përgjithshëm të kredive, përkatësisht lëndëve mësimore të vitit të tretë të studimeve, (studentët e të gjitha drejtimeve të Fakulteteve të Arteve në kuadër të 40 % duhet ta kalojnë edhe lëndën kryesore e cila bartet nga viti në vit”, thuhet në vendimin e Senatit.

Për të gjithë ata studentë të Mjekësisë që do ta kenë fatin të arrijnë deri në vitin e katërt, regjistrimin e vitit të pesë dhe të gjashtë do ta kenë pa kushte.

“Vitin e pestë, përkatësisht të gjashtë të studimeve, studentët e Fakultetit të Mjekësisë mund ta regjistrojnë pa kushte të caktuara të numrit të kredive, përkatësisht lëndëve mësimore nga viti paraprak”, vazhdon vendimi.

Senati kishte vendosur edhe për studimet Mastër. Në këtë nivel studentëve nuk u nevojitet më shumë sesa 50 për qind e kredive. Kjo ishte përcaktuar në një vendim tjetër që mban po të njëjtën datë, 1 shtator 2016.

“Studentët e Universitetit të Prishtinës mund të regjistrojnë vitin vijues të studimeve master për vitin akademik 2016/17 po që se arrijnë kalueshmërinë e 50 % të provimeve nga viti paraprak”, sqaron vendimi.

Kurse Statuti i UP-së kërkon qartë se regjistrimi i vitit pasues mund të bëhet vetëm nëse përfundohet me sukses viti paraprak, pa precizuar se për cilin nivel është fjala./Insajderi.com