Marion Cotillard mohon aferën me Brad Pitt

22.09.2016 14:50
Marion Cotillard mohon aferën me Brad Pitt

Po përflitet si një prej shkaqeve që solli ndarjen e çiftit më të famshëm e më të hijshëm të Hollivudit, por vetë aktorja franceze Marion Cotillard mohon çdo përfshirje në divorcin mes Angelina Jolie e Brad Pitt.

Në Instagram, 40-vjeçarja fituese e çmimit Oscar i uroi atyre të rigjenin qetësinë dhe konfirmoi shtatzëninë me partnerin e saj afatgjatë. Pitt dhe Cotillard janë bashkëprotagonistë në filmin e ri dramatik “Allied”.

Sipas spekulimeve që po qarkullojnë në mediat rozë, romanca mes tyre i kaloi kufijtë e filmit. Përballë këtyre pretendimeve, aktorja e shumëvlerësuar franceze u detyrua të reagojë.

“Ndërsa situata po rëndohet duke prekur edhe njerëzit që unë dua, e ndjeva të nevojeshme të flas. Shumë vite më parë u takova me burrin e jetës sime, babain e djalit tim dhe bebes që po presim të vijë në jetë. Ai është dashuria ime, miku më i mirë dhe i vetmi për të cilin kam nevojë”, thotë Cotillard, duke iu referuar aktorit francez Guillaume Canet.

“I uroj Anzhelinës dhe Bredit të gjejnë paqen në këtë moment të vështirë”, e mbyll deklaratën aktorja. Jolie (41 vjeç) dhe Pitt (52 vjeç), të cilët tabloidët dhe shtypi rozë i ka pagëzuar me emrin e përbashkët “Brangelina” u martuan në vitin 2014, pas një historie 10-vjeçare.