Maratona e akullit, rekord në edicionin e 13

08.03.2017 18:03
Maratona e akullit, rekord në edicionin e 13

Rreth 200 sportistë nga 32 vende të botës sfiduan temperaturat e ulëta të Siberisë për të marrë pjesë në Maratonën e Akullit në ujërat e ngrira të Liqenit të Baikalit.

Kjo është hera e 13 që në Rusi zhvillohet ky aktivitet dhe për disa prej pjesëmarrësve kjo ngjarje është kthyer në diçka të zakonshme.

Kjo garë njihet në arenën botërore madje përkufizohet edhe si një prej ngjarjeve sportive më emocionuese falë edhe panoramës unike të Baikalit. Sipas organizatorëve, kalimi i vijës së finishit përbën në vetvete një arritje të madhe për secilin prej pjesëmarrësve.

Kjo për faktin se moti i ashpër dhe i ftohte siberian e bën garën të paparashikueshme. Ndryshe nga sa ndodh zakonisht ku pjesëmarrësit përballen me borën dhe erërat e forta, këtë vit kushtet atmosferike ishin më të favorshme.

Ai që spikati në garën e këtij viti ishte polaku Bartosh Mazerski, i cili shënoi kohën 2 orë 53 minuta e 26 sekonda, duke thyer me më shumë se 2 sekonda rekordin e Maratonës së Akullit të Baikalit të vendosur nga rusi Sergei Kalashnikov përpara 5 vitesh.