Maradona shënon përsëri me dorë sikur në vitin 1986  

16.03.2017 16:08
Maradona shënon përsëri me dorë sikur në vitin 1986   

Diego Maradona rikrijoi edhe një herë golin me dorë, në të njëjtën mënyrë me të cilën shënoi ndaj Anglisë.

Legjenda argjentinase ishte në Korenë e Jugut për të drejtuar shortin e Botërorit U-20, i cili do të luhet në maj.

Gjatë promovimit të turneut, 56-vjeçari mori pjesë në një ndeshje minifutbolli 5 kundër 5.

Por gjatë lojës ai nuk i rezistoi dot tundimit për të shënuar me dorë, një moment si në kopje që u fiksua nga kamerat, duke u kujtuar anglezëve golin e famshëm që u theu zemrat në Botërorin e 1986-s.

Megjithatë, këtë herë topi nuk përfundoi në rrjetë dhe Maradona u ndëshkua me karton të verdhë.

“El Pibe De Oro”, i cili fitoi Botërorin e të rinjve në vitin 1979, ngriti edhe trofeun e kupës së vërtetë të botës në Meksikë 7 vite më vonë. Rruga e tyre drejt finales vazhdon të kujtohet edhe sot nga goli kontrovers me dorë i yllit të Argjentinës në portën e Piter Shiltonit, i cili eliminoi “Tre Luanët” në çerekfinale.

Maradona, të cilit iu bashkua edhe një tjetër ish-lojtar i kombëtares bardhekaltër, Pablo Aimar, gjatë shortit në Kore, zgjodhi goglat që përplasën pikërisht Anglinë dhe Argjentinën, së bashku me Guinenë dhe organizatorët e Koresë së Jugut në Grupin A.

Kombëtarja angleze U-20 e drejtuar nga Pol Simpsoni do ta nisë botërorin pikërisht kundër Argjentinës në stadiumin “Jeonju Ëorld Cup”, më 20 maj.

Grupet e tjera vijojnë si më poshtë: Grupi B: Venezuelë, Gjermani, Vanuatu, Meksikë. Grupi C: Zambia, Portugali, Iran, Kosta Rikë. Grupi D: Afrikë e Jugut, Japoni, Itali, Uruguai. Grupi E: Francë, Honduras, Vietnam, Zelandë e Re. Grupi F: Ekuador, SHBA, Arabi Saudite dhe Senegal./Insajderi.com