Man. United “minierë ari”, tjetër sponsor, të tjera miliona

02.08.2017 21:45
Man. United “minierë ari”, tjetër sponsor, të tjera miliona

Manchester United vazhdon të konfirmohet si një magnet i fuqishëm për sponsorizimet multimilionëshe, duke tërhequr shumë kompani që ngulmojnë të jenë në fanelat apo produktet zyrtare të skuadrës së futbollit anglez.

Këtë herë, një stemë e një aplikacioni për takime mund të shfaqet në kraharorin e yjeve të ekipit të drejtuar nga Jose Mourinho.

Kompania teknologjike “Tinder” ka hyrë në tratativa për të sponsorizuar “Djajtë e kuq” për një shifër të majme prej 12 milionë paundësh në vit.

Ky është ekuivalenti i 20% të pagesës që bën sponsori gjeneral “Chevrolet”, në ekipin e “Old Trafford”. Deri më tani janë 9 skuadra që militojnë në Premier League, që kanë shtuar sponsorët në pjesën e majtë të fanelës, një tip sponsorizimi që debuton pikërisht këtë vit.

Por rasti i Tinder është unik, si për tipologjinë e kompanisë ashtu edhe për shifrën që do të paguajë te Manchester United.

Rrjeti “Tinder” numëron 50 milionë përdorues dhe është në kërkim të hapësirave të reja të marketingut për një target grup të paktën dyfishi i atij aktual. Aplikacioni që mundëson takime online dhe më pas edhe fizike, ka patur një tjetër eksperiencë me botën e futbollit, vitin e kaluar te Napoli.