Mali i zi, notë proteste Kosovës shkaku i veprimit të Vetëvendosjes

Mali i zi, notë proteste Kosovës shkaku i veprimit të Vetëvendosjes

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, i ka dërguar një notë proteste Prishtinës zyrtare, për vendosjen e flamujve të Shqipërisë dhe mbishkrimet “Republika e Kosovës” dhe “Mirësevini” , të vendosura në territorin e Malit të Zi nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Këta flamuj dhe mbishkrime të vendosura nga partia më e madhe opozitare në Kosovë kishin për qëllim për të treguar se ku është kufiri i drejtë, sipas tyre, pas zhurmës së madhe në Prishtinë rreth Demarkacionit me Malin e Zi.

Flamuri dhe mbishkrimet që janë vendosur në territorin e Malit të zi, janë hequr nga autoritetet malazeze pas disa orësh.

Ndërsa, Podgorica me një notë proteste e ka paralajmëruar Prishtinën për t’i parandaluar aktivitetet e ardhshme të ngjashme, raporton Tanjug.

Mali i Zi dhe Kosova kanë pasur një marrëdhënie të konsoliduar me njëra-tjetrën, duke qenë se shteti fqinj në perëndim të Kosovës e ka pranuar pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit më të ri të Evropës. /Insajderi.com