Mali i Zi heq tabelën e vendosur nga Vetëvendosje – e quan shkelje të kufirit

Mali i Zi heq tabelën e vendosur nga Vetëvendosje – e quan shkelje të kufirit

Autoritetet kufitare të Malit të Zi kanë hequr tabelën me mbishkrimin “Republika e Kosovës” dhe flamurin e Shqipërisë të vendosur nga drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje, dje gjatë ditës.

Kështu bënë të ditur një komunikatë për media e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, raporton Insajderi.

Sipas kësaj komunikate, oficerët e Departamentit të Sigurisë dhe ai i Sigurisë së Kufijve në Rozhajë, që është i ngarkuar me kontrollin e kufijve dhe shkeljet e mundshme të kufirit shtetëror, kanë dalë në terren për të shikuar mbi vendosjen e një tabele të Republikës së Kosovës me mbishkrimin “Mirësevini në Republikën e Kosovës” dhe të një flamuri të Republikës së Shqipërisë.

kufi3

“Tabela dhe flamuri janë vendosur në territorin e Malit të Zi në mes të pikës kufitare Kula dhe në pikën kufitare te lumi Sava në pjesën e Kosovës. Pasi janë përcaktuar faktet se kufiri shtetëror është shkelur, oficerët e policisë kanë ndërmarrë të gjitha masat në konsultim me prokurorin përkatës të shtetit, dhe janë hequr tabela me flamur”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi.

Siç raporton Insajderi, në lidhje me këtë ngjarje është njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Integrimit Evropian e Malit të Zi, si autoritete kompetente për zgjidhjen e konflikteve kufitare për të shikuar nëse veprimi i anëtarëve të VV-së përbën shkelje të kufirit shtetëror.

kufi45

“Me qëllim të zgjidhjes së kësaj shkelje kufitare është bërë thirrje që kjo të zgjidhet nëpërmjet kanaleve diplomatike”, thuhet në komunikatën për media.

Pas heqjes së tabelës dhe flamurit, gjatë mbrëmjes patrulla e policisë në Rozhajë i ka informuar autoritetet malazeze për personat të cilët janë identifikuar si kryerësit e kësaj shkelje kufitare.

“Ata janë të njohur gjithashtu edhe nëpër televizione për shkak të qëndrimeve të tyre për demarkacionin”, thuhet në komunikatën e MB-së në Malin e Zi, raporton Insajderi.

kufiballin

Sipas fotografive të postuara nga vet VV-ja ditën e hënë, tabelën me flamur të Shqipërisë e kanë vendosur Albin Kurti, Ismail Kurteshi, Donika Kadaj-Bujupi, Fisnik Ismaili, Glauk Konjufca e disa aktivistë të tjerë.

Sipas komunikatës së MB-së në Malin e Zi, thuhet se oficerët policorë malazez ia kanë tërhequr vërejtjen personave duke u treguar se kanë hyrë në territorin e Malit të Zi dhe se për këtë duhet të marrin leje nga autoritetet kompetente.

“Pas kësaj ata janë larguar nga territori ynë”, thuhet në komunikatë, raporton Insajderi.

Tutje në këtë komunikatë thuhet se, marrëveshja për kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës është nënshkruar më 25 gusht 2015 në Vjenë, pas tre vitesh negociatash, ku shtetet përkatëse janë zotuar se do ta shikojnë dhe ratifikojnë këtë marrëveshje në mënyrë që kjo marrëveshje të hyjë ne fuqi.

kufiq

“Parlamenti i Malit të Zi në mbledhjen e datës 28 dhjetor 2015, miratoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes dhe me shpresën që Kuvendi i Kosovës të bëjë të njëjtën gjë”, thuhet në komunikatë, raporton Insajderi.

Në këtë komunikatë shpjegohet gjithashtu se një komision i pavarur i përbërë nga përfaqësues të ndryshëm nga SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, të angazhuar nga presidentja Atifete Jahjaga, kanë vlerësuar se ky demarkacion është i rregullt dhe se vetëm pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës./Insajderi.com