Macron i kërkon Erdoganit lirimin e gazetarit francez

Macron i kërkon Erdoganit lirimin e gazetarit francez

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i kërkoi sot homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, lirimin e menjëhershëm të gazetarit francez Loup Bureau, i burgosur në Turqi që prej 26 korrikut dhe kthimin e tij në Francë, njofton presidenca franceze në një deklaratë për shtyp.

“Kreu i shtetit francez, i cili zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin tuk, i kërkoi atij, përveç përmirësimit të kushteve të burgut, kërkesë e plotësuar tashmë, lirimin e shpejtë dhe kthimin e tij në Francë. Të dy presidentët ranë dakord që të vazhdonin kontaktet edhe në nivel ministror për gjetjen sa më shpejt të një zgjidhjeje pozitive”, saktëson deklarata.

Presidenti Macron i ka telefonuar për herë të parë homologut turk në mes të gushtit për t’i kërkuar të ndërhynte.

Gazetari Loup Bureau, 27 vjeç, i cili bashkëpunon edhe me kanalet televizive TV5 Monde, Arte dhe faqen e internetit Slate, ndodhet në paraburgim i dyshuar për përkatësi në një organizatë të armatosur terroriste. Ai është arrestuar më 26 korrik në kufirin mes Irakut dhe Turqisë, pasi i janë gjetur foto ku ai ka dalë me luftëtarë sirianë kurdë të lëvizjes YPG, e konsideruar nga Ankaraja si një organizatë terroriste.