Presidenti Trump dhe Presidenti francez Emmanuel Macron, nuk duken shumë të jenë miq.

Në hapësirën e vetëm disa muajve, të dy ka" />

Macron-i është Presidenti që Trump-i do të donte shumë të ishte

Macron-i është Presidenti që Trump-i do të donte shumë të ishte

Presidenti Trump dhe Presidenti francez Emmanuel Macron, nuk duken shumë të jenë miq.

Në hapësirën e vetëm disa muajve, të dy kanë debatuar në një sërë çështjesh. Fjalimi plot thumba i Macron-it pas një shtrëngimi duarsh mes të dyvenë maj, e zemëroi Trump-in aq shumë, sa që supozohet se vulosi vendimin e tij për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e klimës e Parisit. Pas fitores së tij në zgjedhje, Macron-i kërkoi dhe fitoi përkrahjen e ish-presidentit Barak Obama, ndërsa kundërshtarja e tij e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, u reshtua me Shtëpinë e Bardhë të Trumpit.

Macron-i dhe Trump-i duken shumë larg ideologjikisht. Mbrojtja e e fortë që Macron-i i ka bërë projektit evropian dhe mbështetja e tij për luftën kundër ndryshimeve klimatike, bien drejtpërdrejt ndesh, me ultranacionalizmin e shpallur të Trump-it dhe skepticizmin e tij ndaj ndryshimeve të klimës. Për nxitësit e sloganit “Amerika e para” në Shtëpinë e Bardhë, Macron-i rinor, një ish-bankier që shërbeu si ministër i ekonomisë në qeverinë e mëparshme franceze të qendrës së majtë, është “fëmija i posterit” për elitën “globaliste” që ata shajnë.

Por kur të dy presidentët të takohen të premten në Paris, për festimet e Ditës së Bastijës në Francë, Trump-i mund të gjejë arsye për t’u ndjerë më shumë se disi i pikëlluar – dhe jo vetëm për shkak se do të shohë atë lloj parade ushtarake, që nuk arriti ta vërë në skenë në Pennsylvania Avenue, ditën e inaugurimit të tij.

Rrugëtimet e Macron-it dhe Trump-it ishin, në disa drejtime, imazhe të pasqyruara të tjetrit. Secili konkurroi si kandidat rebel,  me një fushatë që premtonte rimëkëmbjen kombëtare, në një kohë kur shumë bashkatdhetarë ishin të dëshpëruar me status quo-në. “Ata janë të dy politikanë “të jashtëm”, që rrokën zemërimin anti-establishment, bënë fushatë kundër dështimeve të të dyja partive në pushtet, nuk kishin udhëhequr kurrë dhe vinin me përvojë biznesi”, thotë Benjamin Haddad, një studiues i politikave evropiane dhe transatlantike në Hudson Institute.

Por Macron-i arriti të fitojë mandatin e fortë, të cilin duket qartë se Trump-i nuk e ka kapur dot. Fitorja e madhe zgjedhore e presidentit francez u pasua nga një fitore e shkëlqyer në zgjedhjet parlamentare për partinë e tij të re. Macron-i siguroi një shumicë kontrolluese në Asamblenë Kombëtare, duke tkurrur partitë tradicionale të Francës dhe duke fituar një hapësirë të pabesueshme, për të ushtruar pushtetin dhe për të shtyrë përpara axhendën e tij.

“Nganjëherë na shpëton të gjithëve, sepse erdhi pas fitores së tij presidenciale, por unë do të argumentoja se fitorja parlamentare është shumë më mahnitëse dhe transformuese, sesa ajo presidenciale”, thotë Haddad. “Imagjinoni sikur Trump-i jo vetëm të garonte si kandidat i pavarur, por edhe me kandidatë të tijët kudo nëpër SHBA, dhe tani të kishte një shumicë për të qeverisur në Kongres”.

Trump-i, ndryshe nga Macron-i, është endur nga kriza në krizë. Axhenda e tij legjislative është ngadalësuar, falë mosmarrëveshjeve brenda partisë, ndërkohë që po shtohen spekulimet, për atë se edhe sa kohë republikanët në Capitol Hill do të vazhdojnë ta mbështesin. Ai mbetet jo popullor dhe po bën shumë pak për të ndryshuar këtë prirje, ose për të fituar mbështetje përtej bazës së tij. Edhe ai pak “vrull” që duket se mori pasi hyri në zyrë, duket se tashmë është zhdukur.

Sigurisht, Macron-i ka ende një mal të lartë për të ngjitur në vendin e tij. Pasi i magjepsi të gjithë gjatë fushatës, ai ka adoptuar një pozicion më të akullt në pushtet. Qeveria e tij ka kërkuar veprim ligjor për të goditur ata që nxjerrin informacione, duke shkaktuar zemërim mes mediave franceze. Ai anulloi intervistën tradicionale të Ditës së Bastijës me dy drejtues televizivë dhe mbajti një fjalim të tipit “State of the Union” javën e kaluar, fjalim që disa parlamentarë të majtë e bojkotuan, për shkak të asaj që e quajtën arrogancë e Presidentit. Reformat e tij të planifikuara për tregun e punës mund të nxisin përplasje të forta, me sindikatat e fuqishme të Francës.

Por Macron-i duket në një pozicion shumë më të mirë për të luftuar, se sa homologu i tij amerikan. Ai ende mund të flasë për mundësinë e transformimit të vendit të tij në një komb “kompanish rishtare” dhe të shpërthimit të inovacionit, ambicie këto që i ndan disi, me Ivanka Trump-in, vajzën e presidentit dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner. Macron-i e ka mbështetur axhendën e tij duke fuqizuar politikën franceze, me talente të afta teknokrate. Krahasojeni këtë me Shtëpinë e Bardhë kaotike, e trazuar tashmë prej një serie debatesh rreth anëtarëve të familjes së Trump-it, të cilët shumë argumentojnë se nuk duhet të jenë pranë korridoreve të pushtetit.

Prandaj vizita në Paris paraqet një diversion të mirëpritur për Trumpin, pasi i lejon të diskutojë bashkëpunimin kundër terrorizmit si dhe të shijojë shfaqjen e përvitshme të fuqisë ushtarake franceze.

“Është 100 vjetori i hyrjes së Amerikës në Luftën e Parë Botërore – është një simbol i bukur”, u tha François Heisbourg, një ish këshilltar francez i sigurisë kombëtare, për presidentët Nicolas Sarkozy dhe François Hollande, kolegëve të mi Jenna Johnson dhe James McAuley. “Është gjithashtu një kujtesë për Trump-in dhe për të tjerë në Francë, se këtu ka një shekull histori transatlantike dhe se kujtesa e kësaj historie është shumë e fortë”.

Shumë liderë të Evropës Perëndimore kanë qortuar drejtpërdrejt dhe tërthorazi Trump-in, për apatinë e tij të dukshme ndaj institucioneve që kanë mbajtur në këmbë aleancën transatlantike. Por Macron-i mund të përpiqet të përdorë xhiron 27-orëshe të Trump-it nëpër kryeqytetin francez, për të rikthyer “në vathë” presidentin amerikan.

“Ne nuk duam që Trump-i të izolohet”, tha për Politico një këshilltar i Macron-it. “Roli ynë është që të kemi një funksion frenues ndaj tij”.

“Trump-i, i tërbuar nga kritikat gjermane, ka qortuar në mënyrë të përsëritur sufiçitet tregtare të Berlinit,” vë në dukje Nicholas Vinocur, në Politico. “Gjë që e vendos Macron-in – i cili gjithashtu ka kritikuar pozicionin tregtar të Gjermanisë dhe është zotuar se do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes së Francës, deri në objektivin e NATO-s, prej 2 përqind të produktit të brendshëm bruto – si partnerin e vërtetë në valle me SHBA, ndërkohë që Trump-i ndodhet në Evropë”.

“Duket sikur Macron-i dëshiron të shfaqet si udhëheqës i një Evrope që rimerr autonominë e saj dhe kërkon të flasë me Uashingtonin në mënyrë të barabartë”, thotë Haddad. Mosmarrëveshjet e thella nuk mund të tejkalohen të premten, por presidenti francez me siguri do të shmangë konfrontimet dhe do të kërkojë të fillojë ndërtimin e “një partneriteti konstruktiv”. / The Washington Post – Në shqip nga Bota.al