LVV: Atdhe Arifi po terrorizohet në burgun e Lipjanit

LVV: Atdhe Arifi po terrorizohet në burgun e Lipjanit

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktivisti i saj, Atdhe Arifi, po keqtrajtohet në mënyrë psikike nga autoritetet e burgut të Lipjanit.

“Sot, me shqetësim morëm informacione se Atdhe Arifi, i burgosur padrejtësisht, po terrorizohet psiqikisht në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet e burgut të Lipjanit, ku po mbahet padrejtësisht”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Sipas Vetëvendosjes, familja e aktivistit Atdhe Arifi, që e kishte vizituar sot atë, ka treguar që “Atdheu po provokohet nga zyrtarët e burgut, të cilët gjatë gjithë kohës i futen në dhomë, e marrin nëpër zyra të ndryshme, e terrorizojnë pas mesnate duke hyrë në dhomën e tij me bateri dore, dhe në vazhdimësi i thonë “mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti”.

“Vdekja e Astrit Deharit para tri ditësh, dhe pastaj terrorizimi psiqik ndaj aktivistit tonë Atdhe Arifi, flet për terrorin sistemik që po instalohet në Kosovë dhe që për cak ka thyerjen shpirtërore e fizike të të rinjve e të rejave që po guxojnë t’i rezistojnë kësaj Qeverie. Këto metoda fashiste, e kanë shndërruar Kosovën në vend autoritar e policor dhe kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme për qytetarët e vendit tonë”, thuhet më tej në njoftimin e LVV-së.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon lirimin e menjëhershëm të Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit.

“Burgjet e këtij regjimi nuk janë më ambiente të sigurta, të qeta e normale për të burgosurit, e veçanërisht për të burgosurit politikë. Lirimi i Atdhe Arifit e Egzon Halitit duhet të bëhet menjëherë dhe pa kushte”, përfundon njoftimi./Insajderi.com