Lutfi Haziri tregon pse u kidnapua dhe u vra Haki Imeri 

Lutfi Haziri tregon pse u kidnapua dhe u vra Haki Imeri 

Nën organizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Prishtinë sot është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar jetes dhe vepres së veprimtarit Haki Imerit, i cili 18 vite më parë ishte kidnapuar dhe vrarë dhe sot e asaj dite kjo vrasje mbetet enigmë.

Në emër të LDK’së ka folur nënkryetari, Lutfi Haziri, i cili tha se 2 nëntori Iivitit 1999 ka qenë njëra prej ditëve më të kobshme në Kosovën e lirë.

“Hakiu privua nga jeta veç pse mendonte ndryshe politikisht, e mbi të gjitha, ai punonte dhe vepronte që Kosova, pos lirisë, ta gëzonte edhe demokracinë e njëmendët, lirinë e shprehjes dhe Pavarësinë e vendit tonë dhe të ardhmen e saj europiane. Kjo, si duket i pengoi dikujt sepse me gjasë donte ta shihte Kosovën me regres, pa liri të medias, pa arsim, e pa të ardhme europiane. Vrasja e tij makabre nuk ka si të kuptohet ndryshe”, ka thënë me këtë rast nënkryetari Lutfi Haziri.

Haziri ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta zbardhin këtë dhe vrasjet tjera me motive politike, duke thënë se veç në këtë mënyrë, eshtrat e veprimtarit Haki Imeri dhe e të tjerëve do të pushojnë të qetë.

“Sot e asaj dite, kjo vrasje politike makabre dhe vrasjet tjera, vazhdojnë të mbesin të enigmatike. Drejtësia është vonuar shumë sa i përket zbulimit të vrasjeve politike, të cilat e tronditën Kosovën. Megjithëse shumë vonë, është koha e fundit që organet e drejtësisë t’i zbardhin këto raste. Ne nuk do të ndalemi të punojmë që drejtësia të vije në vend, asnipse të tjerët po duan ta përkthejnë ndryshe”, është shprehur nënkryetari i LDK’së.

Në këtë akademi ka folur edhe djali i veprimtarit të çështjes kombëtare Haki Imerit, Kastrioti, i cili ka falënderuar Hazirin dhe LDK’në që për herë të parë ia kanë organizuar një akademi përkujtimore babait të tij.

Ai ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së babait të tij, sikurse edhe vrasjet tjera të pasluftës, të cilat e tronditën Kosovën.

Përndryshe, Haki Imeri qysh prej fillim viteve 80-ta, përmes publikimeve të tij në “Rilindje”, kundërshtoi sistemin e atëhershëm, për ta vazhduar kundërshtimin edhe të sistemit shovenist të Miloshevicit.

Si anëtar i kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hakiu dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe në pajtimin e gjaqeve në vitet 90’ta, ku ishte pjesë aktive e karavanit pajtues për Drenicë në krye me intelektualin e madh Anton Qeta.

Hakiu pos kësaj ishte ndër shtyllat kryesore të mbarëvajtjes së arsimit shqip në Komunën e Skënderajt.

Më 1992 së bashku me të tjerë formuan shtabin komunal të Ministrisë së Mbrojtjes duke filluar kështu fillimin e përgatitjeve të një mbrojtje të armatosur nga okupatori serb.