Lutfi Dervishi rrëfen për pagesat për operacionet në “Medicus”

Lutfi Dervishi rrëfen për pagesat për operacionet në “Medicus”

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, mjeku i akuzuar për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, Lutfi Dervishi, ka vazhduar ta japë mbrojtjen e tij duke u përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij Valon Hasani si dhe të trupit gjykues

Gjatë kësaj seance atij iu paraqitën disa dokumente dhe email-e të cilat ai i kishte shkëmbyer me dr. Yusuf Sonmez si dhe në një rast me dr. Manfred Beer.

Në mesin e këtyre dokumente, prokurorja Valeria Bolici gjatë rimarrjes në pyetje të të akuzuarit i ofroi në shikim një raport mjekësor të cilin i kërkoi Dervishit ta lexonte dhe të deklarohej nëse ai dokument ishte i lëshuar nga ai.

“Klinika “Medicus” raport mjekësor “Rol Feim së bashku me dhuruesin e tij ka kërkuar të operohet në klinikë, komisioni i etikës pas marrjes së pëlqimit të të dy palëve ka dalë në përfundim se ky dhurim është për qëllime altruiste, transplanti është kryer me 24 korrik 2008,”, më pastaj jep edhe të dhënat mjekësore të këtij operacioni. A mund të na tregoni se cili është emri i shkruar në fund të dokumenti?”, e pyeti prokurorja të akuzuarin.

Në lidhje me këtë dokument Dervishi tha se në fund të dokumentit shkruan emri i tij por që nënshkrimi nuk është i tij, por nga ngjashmëria mund të jetë i Arban Dervishit.

Në lidhje me këtë dokument Dervishi u shpreh se është hera e parë që po e sheh tani, duke shprehur habi se pse në fund të këtij dokumenti ndodhet nënshkrimi i djalit të tij pasi që sipas tij ai me profesion është ekonomist dhe nuk ka pasur mundësi që ai të lëshojë ndonjë raport mjekësor.

Më pas kryetarja e trupit gjykues, Franceska Fischer kërkoi të dinte nga i akuzuari se cila ka qenë hera e parë që dr. Sonmez ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në “Medicus”.

“Ka qenë pasi që është pajisur me licencë. Prej majit deri në operacionin e fundit diku kah nëntori i vitit 2008”, tha i akuzuari.

“A mund të thuash gjatë kësaj periudhe sa herë e ke asistuar Yusuf Sonmezin?”, e pyeti më tej gjyqtarja.

Për këtë i akuzuari tha se mund të ketë qenë disa herë, por që nuk është i sigurt për numrin e saktë.

Më pas gjyqtarja Fischer e pyeti të akuzuarin edhe për procedurat e pagesës nga ana e pacienteve për ndërhyrjet që janë kryer në klinikë, ngase sipas gjyqtares disa nga dëshmitaret të cilët janë dëgjuar gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor kanë deklaruar se ata nuk kanë paguar asgjë në klinikën “Medicus”, por jashtë klinikës kanë paguar shuma të majme të parave.

“Unë nuk e di se si kanë deklaruar unë e di se si kanë qenë rregullat në “Medicus”, kjo ka qenë pagesa që e kanë bërë në “Medicus”, çka kanë paguar jashtë “Medicusit” unë nuk e di, s’e di çka ka mund të bëjë dikush jashtë”, u përgjigj Dervishi.

“A e dini se dëshmitarët që kanë qenë pranues na kanë thënë se kanë paguar shuma të mëdha të parave, fjala është për shumën prej 70 mijë e deri në 100 mijë euro a e keni ditur për këtë?”, e pyeti përsëri gjyqtarja të akuzuarin.

Për çka Dervishi tha se ai për këto shuma për herë të parë ka dëgjuar në shqyrtim gjyqësor, ndërsa për klinikën “Medicus”, tha se aty ka pasur çmime fikse për ndërhyrjet kirurgjikale që janë kryer aty, ku për një operacion tha se çmimi fiks ka qenë 8 mijë euro.

Gjyqtarja Fischer tutje të akuzuarin e pyeti edhe në lidhje me një email të datës 22 mars të vitit 2008, të cilin Dervishi ia kishte dërguar dr. Manfred Beer.

”Për dy javë kam qenë në diskutim me shumë kardiolog shpresoj që do të ja fillojnë punës këtë javë, dua të di se çka ka thënë Tefiku, gjithashtu mund të ja fillojmë me dializa, kam qenë në bisedime me njerëzit në Kosovë dhe gjithashtu në Turqi kemi filluar me transplantimin e veshkave, rasti i parë është kryer dhe tjetri do të kryhet me 28 të këtij muaji, kur dëshiron t’i shitni aksionet tuaja ne mund të flasim, do të ju kontaktoj gjithçka që do të ndodh javën e ardhshme”, thuhej në këtë email të shkëmbyer në mes të Dervishit dhe Beer.

E në lidhje me këtë email Dervishi u shpreh se për të është i çuditshëm ky komunikim pasi që sipas tij në atë kohë nuk ka qenë e mundur që të kryhej transplantimi i veshkave por që ka mundur ta ketë pasur fjalën për auto transplantime.

Në fund të dhënies së mbrojtjes Dervishi deklaroi se beson në drejtësi dhe pret që pas 10 vitesh drejtësia në fund të kthehet në vendin e duhur pasi që ai gjithë jetën e tij ia ka dedikuar shkencës dhe pacientëve dhe se gjatë gjithë karrierës parimi i tij ka qenë që të respektojë betimin e Hipokratit. Duke i respektuar çdo herë pacientët dhe rrethin ku ka punuar dhe jetuar, e duke qenë korrekt ndaj ligjit.

“Jam ndje dhe ndjehem shumë keq që 10 vite merrem me diçka që as ëndërr s’e kam parë dhe që absolutisht s’kam pas dijeni që bëhen gjërat të tilla, e që më akuzojnë prandaj unë besoj në drejtësi dhe shpresoj që drejtësia do të kthehet në vendin e duhur”, deklaroi në fund Dervishi.