Lushtaku nuk është penduar që se kishte lejuar Gardën e Kosovës në varrimin e Rugovës

Lushtaku nuk është penduar që se kishte lejuar Gardën e Kosovës në varrimin e Rugovës

Ish-komandanti i Gardës së Kosovës në vitin 2006, Nuredin Lushtaku, që kishte refuzuar t’i dërgonte pjesëtarët e TMK-së në funeralin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, thotë se nuk është penduar për veprimin e tij.

Për më tepër, sipas tij, të njëjtën gjë do të bënte përsëri nëse do të ndodhej në pozitën e njëjtë.

“Ajo ditë për mua ka qenë një ditë normale. Si çdo ditë e zakonshme”, thotë Lushtaku, që aktualisht është deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

“Në atë kohë më është kërkuar nga ish-komandanti i TMK-së Agim Çeku, që t’i dërgojë pjesëtarët e Gardës në ceremoni mortore. E kemi diskutuar dy-tri herë këtë punë. Unë kam qenë i pajtimit që t’i dërgoj edhe pse nuk kam pasur një urdhër me shkrim. Unë e kam vlerësuar që nuk ka arsye që pjesëtarët e Gardës t’i dërgoj për ta nderuar Ibrahim Rugovën”, ka sqaruar ai.

Lushtaku thotë se Rugova nuk e ka ndihmuar UCK-në me asgjë dhe se nuk ka merituar trajtim më të mirë.

“Ai asnjëherë nuk e ka njohur UÇK’në, nuk e ka ndihmuar ushtrinë me asgjë, përkundrazi ka pas lloj-lloj etiketimesh prej tij. ‘Jo janë dorë e zgjatur e Serbisë, pjellë e UDB’së’ e plot etiketime tjera”, ka thënë ai për Tribunën.

“Edhe njëqind përvjetorë, arsyet janë të njëjta. Edhe nuk e ndjej veten keq asnjëherë për veprimin që e kam bërë”./Insajderi.com