Lunaçek: Pranimi dhe marrëdhënia e sinqertë, formula për Kosovën dhe Serbinë

Që nga janari i këtij viti, Prishtina dhe Beogradi nuk kanë zhvilluar takime në nivelet e larta politike në Bruksel, në kuadër të dialogut që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Është kjo një nga pauzat më të gjata të dialogut në nivelin e kryeministrave, që sipas qëndrimeve të zyrtarëve në Bruksel, ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve e më pas edhe konstituimine qeverisë së re të Serbisë.

Lunaçek: Pranimi dhe marrëdhënia e sinqertë, formula për Kosovën dhe Serbinë

Zyra e kryeministrit në Kosovë nuk ka mundur të konfirmojnë ndonjë afat kohor për vazhdimin e negociatave, ndërkohë që shefi i kabinetit, Sokol Havolli, i tha Radios Evropa e Lirë se “ deri më tani , këto çështje kanë shkuar në koordinim me Bashkimin Evropian”.

Ai tha se “përderisa nuk kemi ftesë, nuk mund të themi se kur do të ketë vazhdim”

Por, ekspertë të kësaj fushë në Kosovë,konsiderojnë se dialogu ka hasur në vështirësi të mëdha, si në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, po ashtu edhe në aspektin e zhvillimeve politike në Kosovë dhe Serbi.

Rashiti: Ri-dizajnim i dialogut

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se kjo situatë, ka shtyrë Bashkimin Evropian të mendoi për ristrukturim të dialogut dhe takimet e ardhshme të kryeministrave nuk do të jenë të te njëjtës formë.

“Dhe natyrisht, në të ardhmen shihet një ri-dizajnim i dialogut i cili do të ketë më shumë qartësi në proces, agjendë më të saktë kohore dhe ndoshta edhe një të grumbullim të çështjeve në një paketë, që të ketë mundësi për ti dhënë mundësi normalizimit të te dy qeverive.

Ky proces sa i rëndësishëm ka qenë deri më tani, ka dështuar të krijojë përshtypje se normalizimi i marrëdhënieve mes dy qeverive po ndodh”

Stefanoviq: Marrëveshja bilaterale zgjidh problemin

Ish shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanoviq, që ka nisur bisedimet në vitin 2011,për Radion Evropa e Lirë,ka thënë se çështjet e mëdha do të mbeten të pazgjidhura ose do të bëhet presion “mbi Beogradin që para hyrjes në BE të bëjë një hap shtesë. Dhe kjo thotë ai, nënkupton gjithsesi arritjen e një marrëveshjeje bilaterale që në thelb do të rregullonte çështjen se si e shohin njëri-tjetrin dhe çka pranojmë ose jo”.

“Kjo marrëveshje do të ishte baza e marrëdhënieve me Prishtinën dhe jo një numër I marrëveshjeve teknike që secila palë I interpreton sipas qejfit. Realisht, mendoj se pa një marrëveshje të tillë nuk ka mundësi të përfundojë ky proces”, tha Stefanoviq.

Edhe Naim Rashiti, nuk sheh ndonjë përparim të shpejtë në këtë rrugë. Ai thotë se prioritet është zbatimi i marrëveshjeve teknike të arritura në Bruksel, pastaj sipas tij, mund të pritet një takim i nivelit të lartë politik.

“Unë jam skeptik se kjo fazë mund të ndodhë një përparim të madh, dhe në fakt nuk do të ketë,për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Serbi që do të jenë në prill, dhe aty do të ketë shumë ndryshime në konfigurimin politik në lidhje më postin e presidentit “, thotë Rashiti.

Kurse Stefanoviq thotë se Brukseli po injoron faktin se ndërprerjet në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë bërë të rregullta dhe sukseset në këtë proces të rralla.

“Ndonjëherë ndërprerjet janë për shkak të zgjedhjeve tona, ndonjëherë për shkak të tyre. Ndodh që bëhen edhe për shkak se presim se si do t’i interpreton BE-ja marrëveshjet e arritura. Në të vërtetë, është e zakonshme që secili ta interpretojë në mënyrën e vet atë që është pajtuar”, tha Stefanoviq.

Sipas tij përcaktimi i afateve kohore nga BE-ja për zbatimin e marrëveshjeve të arritura do të mund të zgjidhte në një masë problemin e ngadalësimit të procesit megjithëse, thotë Stefanoviq, nuk dihet se “çka është shkopi dhe çka karota” për palët në negociata.

Në fillim të këtij viti, në Bruksel ka qenë takimi i fundit, midis dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Lunacek: BE-ja nuk do përsëritjen e Qipros

Deputetja austriake në Parlamentin Evropian dhe njëkohësisht edhe raportuese për Kosovën, Ulrike Lunacek, i tha Radios Evropa e Lirë, se projekti paqësor evropian nuk do të përfundojë deri sa të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të mos bëhen anëtare të BE-së.

“Serbia është e vetëdijshme se, pas rastit të Qipros, BE-ja nuk do në anëtarësinë e saj të pranojë asnjë shtet, kufijtë e të cilit nuk janë qartë të përkufizuar, prandaj jam optimiste se procesi i dialogut do të ndihmojë Serbinë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, dhe kjo do të thotë që ta pranojë”, tha Lunacek për Radion Evropa e Lirë.