Lumezi intensifikon punën për zbardhjen e vrasjeve politike

Lumezi intensifikon punën për zbardhjen e vrasjeve politike

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë të ditur se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka obliguar të gjithë kryeprokurorët e Prokurorive Themelore si dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që t’i identifikojnë lëndët penale që kanë të bëjnë me vrasjet e pazbuluara gjatë dhe pas luftës.

Po ashtu, është kërkuar nga ta që t`i bashkërendojnë veprimet edhe me Policinë e Kosovës, dhe organet e tjera publike, për t`i zbuluar kryerësit e veprave penale. Ditë më parë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga AKI-ja, prokuroria dhe policia e Kosovës që të punojnë në zbardhjen e vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Një kërkesë të tillë më herët e kishte bërë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Por, familjarët e të vrarëve kanë pak shpresë se do të bëhet diçka në këtë drejtim.

Moszbardhja e vrasjeve të pasluftës, për familjet dhe shoqërinë krijuan një hendek mes drejtësisë dhe krimit.

Vajza e veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhemajl Mustafa, Berianë Mustafa, në përvjetorin e 17 të vrasjes së babait, tha se askush në këtë vend nuk ka bërë atë që do të duhej ta bënte, vënien e fajtorëve para drejtësisë.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga AKI-ja, prokuroria dhe policia e Kosovës që të punojnë në zbardhjen e vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë, me ç’rast ka publikuar kërkesën zyrtare dërguar Prokurorit Aleksandër Lumezi.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, kam kërkuar nga Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës dhe Agjencioni Kosovar i Inteligjencës, që në kuadër të mandatit të tyre, të angazhojnë të gjithë mekanizmat për ndriçimin e plotë të vrasjeve politike gjatë dhe pas luftës”.

Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe presidenti Hashim Thaçi vitin e kaluar, ku ka kërkuar nga prokuroria të punojë për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, përfshirë dhe rastin e atentatit kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, tha se është jetike për Kosovën zbardhja e vrasjeve të pasluftës. Shala porositi qytetarët, institucionet që të mos spekulojnë dhe mos të akuzojnë pa fakte, gjë që kjo u takon organeve të drejtësisë.

Rreth kësaj çështjeje përmes një e-maili, Këshilli Prokurorial i Kosovës tha për RTK-në se kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka obliguar të gjithë kryeprokurorët e Prokurorive Themelore si dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që t’i identifikojnë lëndët penale që kanë të bëjnë me vrasjet e pazbuluara gjatë dhe pas luftës. Po ashtu, kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga ta që t`i bashkërendojnë veprimet edhe me Policinë e Kosovës, dhe me organet tjera publike, me qëllim që t’i identifikojnë dhe ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për t`i zbuluar kryerësit e veprave penale./RTK