Lumezi: Gjatë shkurtit ka pasur rritje të efikasitetit të prokurorive

Lumezi: Gjatë shkurtit ka pasur rritje të efikasitetit të prokurorive

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur sot takim pune me kryeprokurorët e prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit.

Sipas kërkesës së kryeprokurorit Lumezi në këtë takim secili kryeprokuror prezantoi planin e punës, në të cilin përfshihen sfidat dhe objektivat për secilën prokurori.

Poashtu me kërkesë të kryeprokurorit Lumezi të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, raportuan për muajin shkurt të këtij viti për punën e prokurorive që i drejtojnë, si dhe për punën e secilit prokuror të asaj prokurorie.

Në këto raporte të paraqitura nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive, ishin të përfshira të dhënat për numrin e lëndëve në punë, numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura, si dhe statistikat për punën e secilit prokuror.

Në një komunikatë për media thuhet se raportet e prezantuara u pa se gjatë muajit shkurt 2017 ka pasur rezultate të mira të punës dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha prokuroritë themelore, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe në Prokurorinë e Apelit.

“Vetëm gjatë muajit shkurt në Prokurorinë e Apelit 413 lëndët e pranuara në punë kanë përfunduar, ndërkaq gjatë këtij muaji Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar në punë 7 lëndë dhe i ka përfunduar 10 lëndë”, thuhet në komunikatën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ndërkaq, shtatë prokuroritë themelore gjatë muajit janar 2017 kanë pranuar në punë 1936 lëndë dhe kanë përfunduar 3226 lëndë, që do të thotë se prokurorët kanë përfunduar 1290 lëndë më shumë sesa kanë pranuar në punë, thuhet në komunikatë.