Lumezi ende nuk ka vendosur që ta padisë Hasanin për shpifje

14.11.2017 20:01
Lumezi ende nuk ka vendosur që ta padisë Hasanin për shpifje

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi thotë se ende nuk e ka të qartë situatën dhe qëllimet me të cilat, sipas tij, u sulmua ai dhe institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit. Megjithëkëtë, Lumezi tregon se nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do të padisë Enver Hasanin për shpifje, pasi ai tashmë është i dënuar për korrupsion, dhe sipas Kryeprokurorit të gjithë personat e tillë, të akuzuar ose të dënuar, kanë pakënaqësi ndaj institucionit që ai drejton.

Pak pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Lumezi ka thënë se shpifjet e ndërtuara ndaj tij nga Enver Hasani, që pasuan me disa publikime tjera në media, kanë pasur tendencë rrënimin e institucionit të Kryeprokurorit të Shtetit.

“Për mua është ende e paqartë gjithë kjo situatë. Pse është bërë dhe me çfarë qëllimi. Tendenca ka qenë me e rrënua edhe ma shumë institucionin e Kryeprokurorit. Për mua ka qenë e pakuptimtë, gjithë kjo”, thotë ai.

Por, pa marrë parasysh këtë Kryeprokurori Lumezi ka treguar se nuk ka vendosur ende nëse do të padisë Hasanin për shpifjet ndaj tij.

“Kam me shqyrtua edhe një herë këtë, pastaj do të shikojmë”, tha ai, i pyetur nëse do të padisë Hasanin, siç kishte paralajmëruar në reagimin e tij të parë publik, pas akuzave për manipulim të dosjes së provimit të Jurisprudencës.

Lumezi, gjatë bisedës për Express, shpjegon se e di se ka shumë pakënaqësi ndaj Prokurorisë së Shtetit dhe personalisht ndaj tij, për shkak të punës së tyre si organ i akuzës.

Sipas tij vetëm vitin e kaluar institucioni që ai drejton ka ngritur rreth 18 mijë aktakuza, nga 32 mijë lëndë sa kanë qenë në hetim.

“Ata, potencialisht mua më përjetojnë si një njeri që jam në krye të institucionit dhe kanë njëfarë pakënaqësie, edhe me institucionin edhe me kryeprokurorin e shtetit”, thotë ai duke iu referuar personave të akuzuar që ndjek Prokuroria e Shtetit.

Ndryshe, të martën, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ka përfunduar hetimi për dyshimet e ngritura për dosjen e provimit të Jurisprudencës së Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Hetimi i kryer nga Prokuroria e Themelore e Prishtinës ka pasur me publikimin e dëshmive të plota të cilat hedhin poshtë çdo pretendim të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, të bëra në ditën kur u dënua për korrupsion sa ishte rektor i UP-së, se Lumezi e ka dosjen e manipuluar.