Luka Modriç shpallet futbollisti kroat i vitit 2016

Luka Modriç shpallet futbollisti kroat i vitit 2016

“Ylli” i Real Madrid, Luka Modriç, është zgjedhur “futbollisti i vitit” në Kroaci, për herë të pestë në karrierën e tij.

31-vjeçari e ka fituar më parë anketën e organizuar nga gazeta “Vecernji List” në vitet 2007, 2008, 2011 dhe 2014, por në sezonin e kaluar e humbi atë kundrejt mesfushorit të Barcelonës, Ivan Rakitiç.

“Ky çmim do të thotë shumë për mua. Është hera e pestë që e marr dhe është shumë special për mua sepse ka një traditë dhe në të kaluarën e kanë fituar futbollistë të mëdhenj”, ka thënë Modriç.

“Falënderoj të gjithë ata që kanë votuar për mua. Më duhet të vazhdoj punën fort dhe të përmirësohem ditë pas dite. Dua të falënderoj ata që më kanë ndihmuar të arrij deri këtu”, ka shtuar më tej Modriç, shkruan Telesport.

Modriç mori 110 pikë nga votimi, ndërsa në vendin e dytë u rendit Rakitiç me 80 pikë, para sulmuesit të Juventus, Mario Mandzukiç, i cili mori 76 vota.

Vetëm Davor Suker e ka fituar trofeun më shumë herë se Modriç, teksa ish-sulmuesi i Real Madrid ka triumfuar në gjashtë raste.

Modriç është zgjedhur edhe nga UEFA dhe FIFA në formacionin ideal të vitit 2016.