Luftimi i korrupsionit në drejtim të gabuar

Luftimi i korrupsionit në drejtim të gabuar

Në gjuhën portugeze Lava Jato do të thotë Auto Larje. Sidoqoftë, domethënia e këtij togfjalëshi në Brazil dallon nga ajo çfarë kuptojmë në Kosovë. Ky togfjalësh, është shndërruar në një kategori të krenarisë kombëtare për secilin brazilian, të cilës mund t’ia kalojë vetëm futbolli.

Operacioni “Car Ëash” (Auto Larja) është një hetim që udhëhiqet nga disa prokurorë të Brazilit, i cili ka dekonspiruar një nga skemat më të mëdha dhe më të sofistikuara të korrupsionit në Brazil, dhe jo vetëm.

Në mënyrë të përmbledhur ky rast ka zbuluar pagesat ilegale të më shumë se 8 miliard dollarëve Amerikan të cilat i janë realizuar drejtorëve të kompanive, partive politike, politikanëve individual etj. Ky aksion, ka rezultuar me prangosjen e shumë miliarderëve, politikanëve, njerëzve me ndikim në politikën dhe jetën publike braziliane si dhe i ka shkaktuar dëme të pariparueshme financiare disa nga kompanive më të mëdha botërore. Ky operacion ka ekspozuar shartimin sistematik të korrupsionit me politikën Braziliane, duke rezultuar kështu me shkarkim të qeverive dhe jostabilitet politik në Brazil.

Detajet dhe finesat e këtij rasti mund të mos jenë edhe shumë të rëndësishme. Të njëjtat mund të gjinden me një kërkim të thjeshtë në internet. Ajo çfarë është e rëndësishme është mesazhi që po i komunikohet qytetarëve të Brazilit e po ashtu edhe gjithë botës.

Brazili padyshim se është një nga shtetet me ekonominë më të fuqishme në botë. Sidoqoftë, ky shtet deri në vitin 2014 nuk është se njihej për ndonjë nivel të lartë të sundimit të ligjit. Përkundrazi, Brazili është gjithnjë i renditur në mesin e shteteve me nivel të lartë të korrupsionit, e përcjellë me kulturë të lartë të pandëshkueshmërisë.

Edhe pse në vazhdimësi ka pasur tentativa nga gjyqësori dhe prokuroria e Brazilit për të luftuar krimin e jakave të bardha, shumë raste janë pushuar pas një jehone disa-ditore mediale. Një thënie popullore në Brazil është acabou em pizza (përfundon me një picë), e cila nënkuptonte se nuk ka rast të madh gjyqësor i cili nuk do të mund të zgjidhej gjatë një darke. Sidoqoftë, kjo nuk ndodhi me operacionin “Car Wash”.

Gjithçka kishte nisur në një rast të zakonshëm të hetimit për vepra penale të ndërlidhura me shpëlarje të parave.  Por, në këtë rast, drejtësisë i kishte buzëqeshur fati me një kombinim brilant të njësitit policor dhe prokurorit që ishin të ngarkuar me rastin, gjyqtarit që e kishte udhëhequr procedurën, si dhe të pandehurit i cili nga frika nga dënimi kishte vendosur që të bashkëpunonte me organet e drejtësisë. Ky i pandehur e shpalosi skemën dhe shumat marramendëse që ishin dhënë në raste të ndryshme figurave politike në Brazil. Këtu filloj e gjitha, e cila rezultojë me një lëkundje tektonike të të gjithë skenës politike në Brazil.

Brazilianët nuk kanë ndonjë shpjegim të qartë se çka ka ndodhur, apo se si kanë arritur të ndërtojnë një sistem gjyqësor dhe prokurorial kaq të avancuar dhe të pandikuar. Përgjigjja standarde është se në përgjithësi sistemi gjyqësor ende vuan nga problemet e njëjta, i karakterizuar me ndërhyrje brutale të politikës dhe me pandëshkueshmëri të lartë. Kjo ngase, sipas tyre, qeveritë e korruptuara nuk kanë pasur interes të ishte ndryshe. Sidoqoftë, shumë pajtohen se ndryshimin në rastin “Car Ëash” e bëjnë individët!

Këta individë janë një grup i vogël i prokurorëve kryesisht të rijnë, si dhe një gjyqtar i cili tanimë po konsiderohet si hero i ditëve të sotme. Ky gjyqtar quhet Sergio Moro.

Prokurorët dhe ky gjyqtar, i cili është shndërruar në figurën kyçe të aktiviteteve kundër-korrupsion, ka mbështetje të madhe nga qytetarët e Brazilit të cilit i jepen epitete të ndryshme si “super Moro”, e madje ka edhe thirrje të tilla si “Moro për President të Brazilit”. Ky gjyqtar është listuar në mesin e personaliteteve me ndikimin më të madh në botë për vitin 2016.

Është interesante të shikohet historia e këtyre personave të ngarkuar me këtë operacion. Këta janë bërë heronj të paplanifikuar. Nuk është se e kanë paramenduar se një ditë do të udhëheqin një operacion të tillë, e as që kanë shpresuar se sistemi i kontaminuar i drejtësisë do t’i mundësonte ta zhvillonin një hetim të përmasave të ngjashme. Sidoqoftë, këta persona ishin të veshur me parimet më të pastra etike të kombinuara me një vullnet të pashoq për pastrimin e politikës Braziliane nga korrupsioni si dhe me një profesionalizëm të theksuar. Këta persona kishin qëndruar bashkërisht në rezistencë ndaj sulmeve të ndryshme politike që iu bëheshin. Duke e parë suksesin fillestar, ishin tejet të motivuar për të vazhduar më tutje.

Një komponentë e rëndësishme që ia lehtësonte punën ishte përkrahja e madhe nga publiku për operacionin si dhe mbulesa pozitive mediale që i bëhej arrestimeve. Qytetarët ishin të frustruar nga shumat e mëdha që përmendeshin e që ishin të dedikuara për qëllime korruptive, kur një pjesë e madhe e popullsisë në Brazil, ende vuante nga varfëria e madhe.

Edhe pse Kosova nuk ka as një për qind të popullsisë sa ajo e Brazilit, paralelet që mund të tërhiqen janë të shumta. Të dyja këto vende vuajnë nga niveli shkatërrues i korrupsionit dhe janë të renditura afër njëra-tjetrës në indeksin e organizatës “Transparency International”; të dyja vendet përshkruhen me një sistem të dobët gjyqësor i përcjellë me shkelje sistematike të të drejtave të njeriut të cilat i jetojmë  çdo ditë.

Përkundër këtij fakti, operacioni “Car Wash”, argumenton se në disa raste, përkundër mospasjes së një sistemi të konsoliduar gjyqësor, individët janë ata që mund të bëjnë diferencën.

Personalisht, gjykuar nga trendi i lëvizjeve aktuale, jam shumë skeptik për mundësinë e ndryshimeve pozitive sistematike dhe strukturore në një të ardhme të afërt në gjyqësorin e Kosovës. Sidoqoftë, kam shumë shpresa që do të dalin kuadro të reja të kalibrit të Gjyqtarit Moro, të cilët do ta gjejnë një mënyrë për ta kontrabanduar veten në këtë sistem, e të cilët do t’i japin një dimension të ri luftës kundër korrupsionit.

Luftimi i korrupsionit në Kosovë është duke shkuar në drejtim të gabuar. Ai është ende në fazën primitive, ku qasja ndaj këtij fenomeni, më shumë është e krahasueshme me vende të Afrikës, siç është Kenia, se sa me vende si Brazili.

Luftimi i korrupsionit është shndërruar në një mjet për realizimin e qëllimeve të tjera, e jo si qëllim në vete. Ashtu si shumëçka tjetër, në Kosovë është më e rëndësishme forma e jo përmbajtja. Është më e rëndësishme numri i aktakuzave të ngritura e jo përmbajtja e atyre aktakuzave.

Sidoqoftë, për dallim nga Brazili, për shkak të vogëlsisë, Kosova e ka shumë më lehtë gjetjen e heronjve të tillë si Gjyqtari Moro. Këta nuk duhet patjetër të jenë me kostume të veçanta. Ata duhet të jenë të pajisur me guxim profesional dhe personal. Këta persona duhet të jenë të vetëdijshëm, se me veprimet e tyre, Kosova ka mundësinë të jetë shtet më efikas, i udhëhequr nga politikanë të pastër, të cilët e respektojnë ligjin. Është koha e fundit që Kosova të konsiderohet shtet i së tashmes. Jemi ngopur me të qenurit shtet i së ardhmes!

(Autori është avokat nga Prishtina)