Luftë lajmeve të rreme, Trump përgjigjet me “real news”

Luftë lajmeve të rreme, Trump përgjigjet me “real news”

Presidenti amerikan Donald Trump u ka shpallur luftë lajmeve të rreme, të njohura si “fake news” dhe ka vendosur t’u përgjigjet me një edicion të mirëfilltë që do të transmetohet nga Trump Tower në Nju Jork në profilin e tij në Facebook, me qëllim përhapjen e “real news”.

Projekti financohet nga fushata e tij për rizgjedhjen në vitin 2020 dhe sipas “Daily Beast”, që citon burime republikane, do të menaxhohet nga bashkëshortja e djalit të Trump, Eric, Lara Trump.

Ndërkohë, edicioni pritet të drejtohet nga Kayleigh McEnany, e njohur si personazh i afërt me Trump, që ka mbështetur politikat e tij dhe ka qenë një figurë fikse mes komentatorëve të CNN.

Por pavarësisht kësaj nisme, gjërat duket se nuk po shkojnë aq mirë për shefin e Shtëpisë së Bardhë. Nga një sondazh i fundit i CNN rezulton se vetëm 38 për qind e amerikanëve aprovojnë veprimet e tij, përballë 56 për qind që i kundërshtojnë ato.

Sipas anketës, pas 6 muajsh në Shtëpinë e Bardhë vetëm një president tjetër kishte një kuotë aprovimi nën 50 për qind, Bill Clinton me 44 për qind.

Por në orët e fundit Trump i ka kritikuar ashpër sondazhet, duke i cilësuar si “fake news” dhe që në këndvështrimin e tij nuk tregojnë të vërtetën. “Baza ime është më e fortë se kurrë”, ka postuar ai në profilin e tij në Twitter./TopChannel