Lufta njëvjeçare e Thaçit për të mposhtur izolimin dhe refuzimin

Lufta njëvjeçare e Thaçit për të mposhtur izolimin dhe refuzimin

Gjatë një viti në krye të shtetit, presidenti Thaçi është mbajtur i izoluar nga jashtë dhe i refuzuar nga brenda, por ai ka gjetur mënyra për të qenë figurë kyçe në politikën e Kosovës.

Ish-kryeministri i Kosovës në dy mandate, Hashim Thaçi, këto ditë shënon njëvjetorin në krye të shtetit të Kosovës. Edhe pse zgjedhja e tij ishte bërë në një kuvend që tymonte nga gazi lotsjellës dhe me protesta jashtë tij, Thaçi ka arritur që të bëjë presidencën në disa raste institucion më të rëndësishëm se pararendësja e tij, Atifete Jahjaga.

Pas një fillimi të ngadalshëm që u përshkrua kryesisht me vizita brenda vendit dhe me mungesë ftesash për t’u takuar me homologët e tij në botë, Thaçi ka “përfituar” nga ngritja e tensioneve mes Kosovës e Serbisë për të treguar fuqinë e tij.

Fillimisht, më 14 janar, Thaçi kishte urdhëruar Qeverinë e Kosovës që të ndërmerrte masa për të ndaluar një tren ilegal që ishte nisur nga Serbia drejt Mitrovicës. Ka pasur paqartësi nëse Thaçit i ka takuar e drejta të jap një urdhër të tillë, por ai vetë ka thënë se treni do të futej po të mos ishte ai. Pastaj, me aprovimin e Bashkimit Evropian, presidenti Thaçi së bashku me homologun e tij serb Nikolic kanë marrë pjesë në takimin mes Kosovës e Serbisë në Bruksel. Në vitet e kaluara, takimi mes dy palëve është mbajtur vetëm në nivel kryeministrash.

Në fakt, ka qenë vetë Thaçi që qysh para se të zgjidhej në krye të shtetit kishte filluar të kërkonte riformatimin e këtij dialogu dhe nuk përjashtonte mundësinë që t’i bashkohej bisedimeve.

Por, sikur të mos mjaftonin provokimet e njëpasnjëshme nga Serbia, Thaçi paralajmëroi pastaj se Kosovën e presin ditë të vështira edhe në të ardhmen e afërt nga shteti fqinj, duke i hapur vetës kështu rrugën të përfshihet në bisedimet e vështira të Brukselit.

I trimëruar nga fuqia elektorale

Gjatë vitit të parë si president i pestë i shtetit, thuajse në çdo rast kur ka komentuar zgjidhjen e tij mes protestash e gazit lotsjellës, Thaçi ka përmendur të njëjtin argument: ai thotë se ka pasur vota të deputetëve më shumë se pararendësit tij, përveç Jahjagës, për të cilën thotë se ka pasur konsensus shtetëror.

Por, përveç kësaj, është e qartë se Thaçi ndihet i trimëruar edhe për shkak të votave që ai kishte mbledhur në zgjedhjet e fundit nacionale. Deri në zgjedhjet e ardhshme, Thaçi mbetet njeriu më i votuar në Kosovë me mbi 166 mijë vota të fituara në zgjedhjet e vitit 2014.

Kështu, ai edhe simbolikisht me ceremoninë e inaugurimit kishte paralajmëruar se do të jetë politikan i pakalueshëm ani pse për herë të parë pas dy gati dekadash nuk mundet më të mbështetet direkt të ish-partia e tij, PDK.

Në fakt, ai është presidenti i parë që ka organizuar një ceremoni të madhe të inaugurimit të tij. Në atë ceremoni kanë qenë të ftuar qindra zyrtarë të shteteve mike të Kosovës ndërsa para tyre dhe qytetarëve të Kosovës, Thaçi tentonte të linte pas dy mandatet e tij të kritikuara si kryeministër dhe seancën me tym në të cilën u zgjodh.

Analistët politik patën paralajmëruar se fuqia e tij elektorale do ta bënte atë që të forcojë institucionin e Presidencës krahasuar me Jahjagën.

Presidenti i izoluar bën prioritet marrëdhëniet me serbët

Presidenti Thaçi është një nga njerëzit më të përmendur në raportin e ish-senatorit zviceran Dick Martty, i cili para Këshillit të Evropës ka akuzuar liderët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të rënda të luftës. Raporti i zviceranit ka nxitur krijimin e Gjykatës Speciale, e cila tashmë e funksionalizuar, pritet që të kërkojë arrestimin e një numri personave.

Një fakt i tillë mund të ketë qenë arsye që presidenti Thaçi të mos gëzojë numër të madh të takimeve me zyrtarë të lartë të shteteve në Evropë dh botë.

Vizitën më të rëndësishme ai e zhvilloi në Turqi, ku u takua me presidentin turk, Erdogan, me të cilin ka pasur marrëdhënie të mira edhe gjatë kohës sa ka qenë kryeministër.

Përveç se nuk ka arritur të takojë liderë shtetërorë, Thaçi është mbajtur “i izoluar” edhe nga opozita. Ai ka tentuar në disa raste që të mbledhë përfaqësuesit e partive më të rëndësishme të vendit, por që është refuzuar në vazhdimësi nga partitë opozitare, të cilat vazhdojnë të mos e pranojnë atë si president.

Ata Thaçin e konsiderojnë si person përçarës dhe jo unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetuta e vendit.

Por, derisa ka dështuar të pajtojë partitë në vend, ai ka marrë një mision kundërthënës. Para disa ditëve, Thaçi ka krijuar një komision për pajtim me Serbinë. Sipas presidentit, është shumë e dhimbshme të shohësh që sot, edhe gjeneratat që kanë lindur pas lufte e shikojnë palën tjetër si armiq dhe si rrezik, e jo si fqinj, si bashkëqytetarë.

Por, iniciativa tij është kritikuar si i nxituar dhe nuk ka gjetur përkrahje tek familjarët e të pagjeturve.

Ndërsa përveç kësaj, Thaçi kishte shkaktuar kundërthënie edhe me përkuljet e tij para monumenteve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Një rast në veçanti kishte shkaktuar zemërim, meqë në vendin ku përkulej Thaçi ishte mbishkrimi se aty janë vrarë serbë nga terroristët shqiptarë.

Thaçi përshëndetë nga Presidenca arrestimin e ish-kolegëve

Me zgjedhjen e tij si president, Thaçi i krijoi vetes komoditetin që të distancohet nga ish-bashkëpunëtorët e tij politikë, të cilët janë duke u ndjekur nga drejtësia si të dyshuar për vepra të korrupsionit.

Thaçi nuk ka hezituar të japë deklarata duke inkurajuar organet e drejtësisë me veprimet e tyre ndaj bashkëpunëtorëve të tij, edhe pse funksioni i presidentit nuk e detyron atë të japë deklaratë sa herë që drejtësia kryen punën e vet.

Ai e kishte “përshëndetur” e  mbështetur edhe aksionin për arrestimin e Azem Sylës, ish-Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, ku Hashim Thaçi ka qenë Drejtor Politik.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga bashkëluftëtarët e tij që t’i dorëzohen një gjykate speciale e krijuar për të ndjekur pjesëtarë të UCK-së të dyshuar për krime lufte dhe vrasje politike të pasluftës.

Deklaratë kishte dhënë edhe për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Le të jetë ky shembull i sjelljes në pajtim me etikën institucionale, dhe i gatishmërisë për qeverisje të mirë”, ka thënë ai, pas dorëheqjes së Aganit.

Agani, i cili kishte një marrëveshje koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës në kohën kur kjo udhëhiqej nga Thaçi.

Thaçi ditë më parë ka dalë edhe kundër Qeverisë së Kosovës dhe pasardhësit të tij në PDK, Kadri Veseli. Ai e ka cilësuar si të jashtëligjshme emërimin e Bahri Berishës në krye të Doganave të Kosovës, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga të dy palët.

Megjithë vështirësitë e zgjedhjes por edhe sfidat me të cilat po përballët si president, Thaci ka paralajmëruar në disa raste se do të kandidojë sërish për president të shtetit, por herën e ardhshme me votë direkte nga qytetarët./Insajderi.com