Lufta ndaj drogës në Filipine nuk kursen as kryebashkiakun

Lufta ndaj drogës në Filipine nuk kursen as kryebashkiakun

Lufta e Filipineve, ose më saktë e presidentit Rodrigo Duterte ndaj drogës vazhdon e ashpër, e në listën e viktimave që sa vijnë e rriten shtohen emra figurash politike në vend.

Gjatë operacionit më të fundit në jug të vendit, policia vrau një kryebashkiak, që nga vet presidenti ishte futur një një listë të dyshuarish kryesorë për trafikun e drogës.

Reynaldo Parojinog, kryebashkiaku i qytetit Ozamiz, është i treti në këtë rang që vritet nga policia, si pjesë e fushatës së përgjakshme kundër trafikut të drogës.

Mediet filipinase njoftuan se policia shkoi të kryente kontrolle në shtëpinë e kryebashkiakut, por u përball me breshëri armësh dhe një betejë e ashpër pasoi. Shefi i policisë, Roel Obusan e konfirmoi këtë dhe tha se, shpesh, trafikantët e drogës mbajnë një ushtri private, e cila përballet me policinë.

Por sipas Obusan, ata e dinë shumë mirë se çfarë fundi i pret kur hapin zjarr ndaj forcave të rendit. Autoritetet filipinase thanë se, veç kryebashkiakut, në përleshje humbi jetën edhe bashkëshortja e tij, shkruan TopChannel.

Pavarësisht se fushata ndaj drogës është dënuar ashpër nga thuajse e gjithë bota, presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte as që do t’ia dijë dhe nuk ka ndërmend të ndalet, siç e tregon edhe lista e viktimave që ka kaluar 7.000 vetë që vitin e kaluar, kur ai mori detyrën.