Löw tregon: E kemi mbikqyrur edhe Shqipërinë

Löw tregon: E kemi mbikqyrur edhe Shqipërinë

Gjermania u kursye ndaj Irlandës së Veriut në dëm të Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë se skuadra e Joakim Low i ka nënvlerësuar kuqezinjtë. Vetë trajneri ka zbuluar për “Badische Zeitung” se ishin të përgatitur për çdo eventualitet të mundshëm për turin tjetër të Euro 2016.

“Është ende herët të flas për kundërshtarët e mundshëm. Sinqerisht, ky sistemi i vendit të tretë është shumë i komplikuar edhe për mua. Në teori janë Sllovakia dhe Shqipëria”.

“Kundër Sllovakisë kemi luajtur disa javë më parë në Augsburg duke u mundur 3-1. Ndaj sllovakëve e dimë mirë se çfarë na pret. Ndërsa shefi i skautëve tanë, Urs Sigentaler, ka ndjekur herë pas here Shqipërinë”, konfirmoi Low për gazetën gjermane.

Gjermania mund të kishte ndihmuar Shqipërinë me një fitore më se të mundshme me 4 a më shumë gola diferencë ndaj Irlandës së Veriut, e cila dje në fushën e lojës ishte thjesht për sehir.

Por gjermanët u kursyen në këtë ndeshje dhe morën vetëm tre pikët që i nevojiteshin për vendin e parë në grup me suksesin 1-0, duke i bërë një dhuratë të madhe Irlandës së Veriut që u kualifikua. /Insajderi.com